Shpend Ahmeti ishte nisur dje që ta kundërshtojë zgjehdjen e Naser Canollit në krye të “Termokos”-it, por ky i fundit i sugjeron të parit të Prishtinës që të vijë në zyrë për një gjë krejt tjetër.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Termokos”, Naser Canolli, thotë se do të vazhdojë të dal në zyrën e tij, edhe pas kundërshtimeve të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Kryeshefi Ekzekutiv i ngrohtores së kryeqytetit i zgjedhur nga Bordi i Drejtorëve me 2 nëntor të këtij viti mohon ndikim e politikës përkundër që është i afërt me PDK-në.
“Unë sot jam në punë prej orës 8 të mëngjesit. Janë bërë të gjitha procedurat legale, unë jam jurist vetë dhe nuk kam dashtë asnjëherë të bëj shkelje ligjore”, tha Canolli për KALLXO.com
Përveç punës në “Termokos”, Canolli është edhe kryesues i bordit në Aeroportin e Gjakovës.
Canolli në vitin 2013 është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së.
Gazeta “Jeta në Kosovë” ka shkruar për politizimin e bordit të Aeroportit të Gjakovës, pjesë e të cilit është edhe vetë Canolli.
Ligji për Ndërmarrje Publike përcakton se nuk mund të jetë anëtar bordi një person që është përfshirë në politikë në 36 muajt e fundit.
Ndërsa në profilin e tij në Facebook, Canolli e ka të shkruar se është Drejtor i Gazetës Zyrtare të Kosovës
Edhe për përzgjedhjen e tij si kryesues bordi në Aeroportin e Gjakovës, Canolli thotë se kanë qenë procedura ligjore të cilat sipas tij janë respektuar.
“Në Aeroport, Komisioni e ka vlerësuar se i plotësoj të gjitha kriteret me qenë anëtarë i Bordit”, tha ai.
Sipas tij, puna në Aeroport nuk i nxjerr telashe ta bëjë punën e Kryeshefit Ekzekutiv në “Termokos”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti po e kundërshton fortë ardhjen e Canollit në Termokos.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook, ka shprehur pakënaqësinë e tij duke thënë se Canolli ka ardhur aty në saje të lidhjeve politike.
Ahmeti fajëson Lirak Celajn drejtues i asamblistëve PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe Sami Hamitin drejtues i asamblistëve të LDK-së për ndërhyrje politike në borde.
“Si duket marrëveshja e Lirakut me Samiun paska qenë me i nda ndërmarrjet si torte duke tentuar të vendosin militanta në udhëheqje pikërisht kur ndërmarrjet publike në Prishtinë (të shkatërruara qe 14 vite) po ringjallen. Dhe këtë duan ta fillojnë me Termokosin i cili ka filluar kogjenerimin dhe tani edhe ka sigurar mjete pêr ti kyçur edhe 30 mijë konsumatorë të tjerë. Për shkak se duan që këtë sukses ta kthejnë prapa” tha Ahmeti.
Për kundërshtimin e Ahmetit, Canolli dha qëndrimin e tij.
“Për kryetarin e Komunës duke se gjithçka çka është ligjore po i duket antiligjore, le të jetë në ndërgjegjen e tij, ai si Kryetar i Komunës duhet të vijë të ma urojë detyrën dhe të kemi bashkëpunim. Tek e fundit ai është Kryetar unë jam Kryeshef Ekzekutiv në Termokos dhe bashkëpunimi është i nevojshëm, mua nuk më pengon bindja politike e tij”, tha Canolli.
KALLXO.com ka dërguar disa pyetje te Kryetari Ahmeti dhe te zyra për komunikim në Komunën e Prishtinës për të kuptuar nëse Ahmeti do të marrë masa të tjera për atë që ai e quan “ndikim politik” në ndërmarrje publike por ende nuk ka marrë përgjigje