Asambleja Parlamentare e NATO-s, e cila po zhvillon punimet në Dubrovnik, në Kroaci, ka mirëpritur bisedimet midis Beogradit e Prishtinës dhe ka bërë thirrje për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të nënshkruar në muajin prill, në Bruksel.Në draftin e rezolutës, e cila pritet të miratohet sot nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, thuhet se zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit është moment krucial për stabilitetin e gjithë rajoni dhe një prej kushteve kryesore për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian.
Këto përfundime janë përfshirë në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila pritet të miratohet sot.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s kanë thënë se dyert e Aleancës Veriatlantike janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të hyjnë në aleancë dhe të cilat janë të gatshme të kryejnë reformat e nevojshme, ndërsa Bosnjës e Hercegovinës i kanë bërë thirrje që urgjentisht të përfundojë reformat e nevojshme kushtetuese dhe të zgjidhë problemet e pasurisë së përbashkët të ushtrisë, të cilat kanë çuar në suspendimin e planit aksional për anëtarësim në NATO.