Shtabi Qendror Zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me pikëllim njofton median dhe opinionin se, pas përkeqësimit të situatës shëndetsore ditëve të fundit, ka ndërruar jetë sot bartësi i Listës nga koalicioni AAK-LDD në komunën e Mitrovicës, në garën për zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit, Prof. Ramadan Kelmendi.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, në emrin e tij personal dhe të Shtabit Qendror Zgjedhor të AAK-së, ua përcjellë ngushëllimet më të thella familjes Kelmendi, kolegëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Prof. Ramadan Kelmendit.
Prof. Ramadan Kelmendi, bartës i Listës së koalicionit AAK-LDD për Zgjedhjet e 3 Nëntorit në Mitrovicë, ligjërues i lëndës E drejta Kushtetuese, njihet për bagazhin e tij të gjatë në shërbim të të gjitha proceseve të rëndësishme që kaloi Kosova në tri dekadat e fundit, në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
Në vitet ’90 ishte nga veprimtarët e shquar e të palodhshëm deri në çlirimin e Kosovës. Pas vitit 1999 ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe është një nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në garën për zgjedhjet e sivjetme lokale, koalicioni AAK-LDD e kishte bartës të Listës në komunën e Mitrovicës.
Me rastin e ndarjes nga jeta të Prof. Ramadan Kelmendit, kryetari Haradinaj dhe SHQZ i AAK-së, ka vendosur që të anulojë tubimin e sotëm parazgjedhor të AAK-së, të paralajmëruar të mbahet në orën 16:00 në Mitrovicë.
Nën organizimin e Shtabit të AAK-së në Mitrovicë, do të mbahet sot (e premte 11 tetor) mbledhje komemorative, në orën 16:00, në Shtëpinë e Kulturës në këtë qytet.