Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po e sheh vetën afër UEFA-s e FIFA-s, si asnjëherë më parë. Kjo i ka shtyrë drejtuesit e saj ta nisin aksionin rreth përforcimit të Përfaqësueses së Kosovës.
Një gjë të tillë po duan ta bëjnë me yjet e futbollit kosovar, të cilët aktualisht luajnë për shtetet tjera.
Ftesat tashmë iu kanë dërguar disa lojtarëve të njohur kosovar, e disa të tjerëve pritet t’u dërgohen gjatë javëve në vazhdim. Madje, një ftesë tashmë iu është bëtë gati edhe super-talentit të Manchester Unitedit, Adnan Januzajt, i cili po kërkohet me ngulm nga Shqipëria, Belgjika e Anglia.
Këtij aksioni po i prinë nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu.
Ftesën e tij që ia ka përgatit Adnan Januzajt, tashmë e ka siguruar gazeta Arena. Ajo pritet të mbërrijë shumë shpejt në adresën e 18 vjeçarit, por do të bëhet e ditur edhe për publikun, shkruan Arena.
“I nderuar Adnan, po të shkruaj si nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe adhurues i juaji me një kërkesë të arsyeshme për vendin tonë dhe në veçanti për futbollin e Kosovës. Duke njohur kualitetet tuaja si sportist dhe atdhetar po të bëj ftesë publike që ti t’i bashkohesh Kombëtares së Kosovës”, thuhet në ftesën e Bekim Haxhiut.