Për pesëmbëdhjetë vjet që pas vdekjes së përfaqësuesit të parë diplomatik të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në Zvicër dhe njëherit ish- kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”, Jashar Salihut, shoqata e Veteranëve nuk ishte në gjendje që në të paktën çdo gjashtë muaj t’ia ndërroj flamurin kombëtarë tek vendi ku trupi i tij pushon.
Të zhgënjyer dhe të shqetësuar me gjendjen e varreve, ushtari i tij anonim bashkë me shokë i ka rregulluar varrin e Gjeneralit, në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Familjari i Jashar Salihut, Hysni Salihu i cili jeton në Zvicër, për KosovaPress përmes telefonit tha se varrin e axhës së tij e ka rregulluar një ushtarë i Jashar Salihut, i cili ka dashur të mbetët anonim.
Ky ushtarë ka rregulluar njëkohësisht edhe varrin e komandantit të zonës së veriut me qendër në Krumë, ish anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Gjeneral Xheladin Gashi-Plaku.
“Për këtë ka shpreh dëshirë një ushtarë i Jasharit, edhe Xheladin Gashit, i cili ka dashur të mbetët anonim dhe me një grup shokësh për 15 vjetorin e vdekjes së Jasharit kanë shprehur dëshirën për ta rregulluar varrin e Jasharit dhe Xheladinit-Plakut. Ai nuk deshi ta tregoj emrin, por tha se ka qenë ushtar i Jasharit, vetëm atë e kam ditë që e kam komandant gjatë luftës, nëse më lejoni, kisha deshtë për 15 vjetor ta rregulloj varrin e tij, dhe dua të jem anonim”, ka rrëfyer Salihu për KosovaPress.
Mirëpo, Salihu është shprehur i zhgënjyer me të gjithë komunarët të cilët tash e 15 vite nuk qenë në gjendje të rregullojnë varrin e dëshmorit. Ai tha për KosovaPress, se varrin e axhës së tij nuk e ka rregulluar për të vetmen arsye, se nuk deshi të bënte ndarje me varret e tjera të dëshmorëve.
“Tu e pas parasysh që ato varreza i kanë lënë komplet anash do të thotë që nuk është marr askush me të as për mirëmbajtje, janë rregulluar një pjesë deri te Jashari, dhe Plaku, por ato për neve kanë qenë plane të qëllimshme. Më vjen keq prej varrezave tjera, po të mundja do t’i ndreqja. Sepse përgjegjësit po kanë derte tjera, i kanë harru të gjitha gjërat, bilës edhe gjakun e dëshmorëve. Jam tepër i zhgënjyer, nuk po hy në detaje e të them jo është faji tek ky komunarë ose tek ai, sepse janë ndërruar shumë kryetar të komunave dhe asnjëri nga ata nuk kanë vepruar asgjë”, tha Salihu për KosovaPress.
Ai tregoi se e ka vizituar Shoqatën e Veteranëve për të shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e varrezave, ku kishte dërguar edhe një fotografi të flamurit i cili ishte i dëmtuar.
“Unë kam qenë edhe në shoqatën e Veteranëve. Kam qenë tepër i shqetësuar me gjendjen e atyre varrezave, iu kam treguar edhe fotografitë që edhe flamuri ka qenë i dëmtuar, dhe nuk kanë qenë në gjendje as flamurin kombëtar për ta ndërruar, në të paktën gjashtë muaj. Për keqardhje por ky është realiteti. Edhe 100 vite nuk do të kërkoja që të rregullonin, nuk do isha marrë të me ta, lë t’i mbetët turpi atyre që duhet të merren me të”, ka thënë ai.
Ndryshe, sot janë bërë 15 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, përfaqësues i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në Zvicër, dhe njëherazi edhe kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”, fond që zyrtarisht ka qenë fond i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Që nga vitet e 70-ta, Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve Shqiptare në Jugosllavi.
Respektivisht ishte ndër anëtarët më aktiv të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur Komiteti për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla.
Bashkë me vëllaun e tij Hajdarin, ishin dalluar për guximin e tyre politik që haptazi ju kundërviheshin qëndrimeve e veprimeve të udhëhequra nga ish-qendrat komuniste të organizuara përmes komiteteve komunale, që binin ndeshë me synimet dhe idealet e lëvizjes së mirëfilltë kombëtare për çlirim nga pushtimet sllave.
Vite më vonë vëllezërit Salihu, punuan si profesor në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” gjimnazi në Deçan. Më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin tek Verrat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime; 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Në fund të këtij viti e arrestojnë dhe e torturojnë tmerrësisht, barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq; ndjekja e tij do të vazhdojë edhe më tutje, në çdo hap, gjer aty sa ta detyrojnë të marrë rrugën e mërgimit.
Veprimtaria e tij politike, ka vazhduar në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila themelojë edhe UÇK-në.
Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993, do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, fond i cili fillim e mbarimin ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.
Ai ishte anëtar i Grupit për Marrëdhënie me Jashtë, ndërkaq që më vonë do të jetë përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër.
“Shqiptarët e Kosovës janë evropianë dhe nuk kanë lidhje me vendet islamike. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund”, i ka deklaruar Jashar Salihu gazetës amerikane “The Christian Science Monitor”, të datës 16 prill 1998, duke mbrojtur kështu dhe përhapur të vërtetën për shqiptarët dhe vlerat civilizuese perëndimore të luftës së UÇK- së, njëkohësisht duke demantuar propagandën antishqiptare të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe satelitëve të tij.
Jashar Salihu lindi në fshatin Batushë më 10 shkurt 1953. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Molliq, ndërsa atë të mesën në Gjakovë. Fakultetin e mbaroi në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, ku studioi gjuhën angleze. Vdiq me 16 dhjetor të vitit 2000, në spitalin kantonal të Aaraut të Zvicrës.