Lajmet e fundit
Në dhjetor marrëveshja mes Odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë për arbitrin

Në dhjetor marrëveshja mes Odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë për arbitrin

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor do të nënshkruajnë marrëveshjen e parë mes dy shteteve ku do të pranohet roli i arbitrazheve për zgjidhjen e problemeve të biznesit. Ky paralajmërim ka ardhur pas një takimi të përfaqësuesve të OEK dhe ambasadorit  britanik në Kosovë Jan Kliff ku është diskutuar për rrjedhën e bisedimeve të deritashme në mes OEK dhe Oda Ekonomike e Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë që është zhvilluar tash së fundi në Vjenë. Ambasadori britanik Kliff tha se ky dialog në mes odave të dyja vendeve është i rëndësishëm, pasi ndryshe nga niveli politik, ka disa çështje teknike që kanë mbetur anash pa u vërejtur

Kryetari i OEK Safet Gërxhaliu tha se kësaj i ka paraprirë nënshkrimi i memorandumit të parë të bashkëpunimit mes dy odave në pika të caktuara.  “Kemi dalë me një qëndrim të përbashkët me 13 pika dhe do të mbahen takimet e radhës në nivel teknik. Pas memorandumit të bashkëpunimit mes dy odave, do ta kemi në fillim të dhjetorit nënshkrimin e marrëveshjes së parë mes dy shteteve ku pranohet roli i arbitrazheve në OEK dhe OETIS që problemet mes bizneseve tani ta kenë edhe një zgjidhje alternative,  jo vetëm të priten gjykatat që janë të stërngarkuara por të gjendet një xhentëlmen marrëveshje e cila do të jetë në funksion të zgjidhjes së këtyre problemeve”, tha Gërxhaliu. Ai njoftoi se takimi i fundit në Vjenë, që është mbështetur nga ambasada britanike, ka qenë mjaft i suksesshëm. Në këtë takim përveç OEK kanë qenë përfaqësuesit e doganës, hekurudhës, veterinarisë, PTK dhe arbitrazhi. “Është arrite një pajtueshmëri që tani e tutje të gjenden modalitete që të fillojë komunikimi nëpër debate të ndryshme ku për herë të parë kemi një dialog të pastër ekonomik”, tha Gërxhaliu. Si e veçantë sipas tij, janë bisedat për Postën dhe hekurudhat e të dyja vendeve. Fjala është si të përshpejtohet komunikimi i transportit hekurudhor  dhe të diktohet kostoja për sektorin privat e cila është një ngarkesë. Është një vullnet dhe gatishmëri nga të dyja palët”, tha ai duke shtuar se të ardhmen pret të zgjidhen problemet mes kompanive të sigurimit të Kosovës, bankave të Kosovës dhe fusha tjera. “Dua të besoj se së shpejti do të kemi edhe rezultate tjera konkrete që do të jenë në funksion të avancimit të dialogut, partneritetit, të promovimit të Kosovës, rajonit.

Nuk ka gjithmonë dashuri, por interes ekonomik dhe ky interes ekonomik i bazuar në dialog i minimizon dukuritë negative”, tha ai. Si përparësi të këtij komunikimi Gërxhaliu e konsideron edhe preferencat dhe marrëveshjet tregtare që Serbia ka me vendet e ish bllokut lindor, ku mund të plasohen produktet e Kosovës.

 

Ambasadori britanik Kliff tha se ky dialog në mes odave të dyja vendeve është i rëndësishëm, pasi ndryshe nga niveli politik, ka disa çështje teknike që kanë mbetur anash pa u vërejtur. “Këto raporte në mes dy institucioneve janë rezultat i atij lloji të bisedimeve. Dhe mund të themi se këtu ekonomistët dhe afaristët në Kosovë dhe Serbi kanë ecur më përpara se politikanët të dy shteteve. Edhe pas zgjedhjeve më 4 nëntor, biznesi zhvillohet që është gjaku i çdo shteti”, tha ai duke shpresuar se çështja e postës dhe hekurudhës duhet të jetë në agjendën e bisedimeve të nivelit teknik. Këtë bashkëpunim ai e sheh si një përparësi, për shkak të rrugës më të shkurtër,  për komunikimin ekonomik të  Kosovës përmes Serbisë në vendet perëndimore si Gjermani, Austri dhe Zvicër

Ahmet Kosumi udhëheqës i drejtorisë për arbitrazhe, tha se kjo do të jetë një marrëveshje kryesisht për bashkëpunim mes arbitrazheve. “Ne kemi një marrëveshje multilaterale me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor por me të Serbisë nuk kemi pasur. Kjo marrëveshje do të jetë teknike për shkëmbimin e informacioneve”, tha Kosumi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.