Lajmet e fundit

Në Dubovc të Vushtrrisë gjenden mbetje mortore të 9 personave

Në ish-pronën e një malazezi, Radulle Mitroviq, në vendin e quajtur “Klysyrë” në Dubovc të Vushtrrisë janë gjetur mbetje mortore të 9 personave, kafkat e të cilëve ishin të shpuar me plumba. Dyshohet se mbetjet mortore i takojnë luftës së dytë botërore

Vushtrri. Një grua nga Dubovci i Vushtrrisë, Nurie Halili, ka njoftuar Policinë e Kosovës, të marten, se në pronën e saj, derisa punëtorët e angazhuar nga ajo po hapnin themelet për shtëpi, kanë hasur në eshtra njerëzish.

Prona e familjes së saj, në vendin e quajtur “Klysyrë”  ishte kolonizuar pas luftës së dytë botërore nga një malazez, Radulle Mitroviq dhe ajo ndodhej në pronësi të tij deri në vitin e kaluar, kur pasardhësja e familjes Halili, Nurie Halili, është bërë pronare e re e tokës.   Mbetjet mortore të 9 personave, dyshohet se janë të luftës së dytë botërore. Punëtorët, të cilët po kryenin punët i kanë mbledhur mbetjet mortore dhe i kanë vendosur në thasë najlloni dhe ato gjenden akoma në vendin ku janë gjetur.

Shemsedin Preteni, zëdhënës i komunës së Vushtrrisë, i ka thënë “Zërit” se zyrtarë komuanlë, përfshirë edhe nënkryetarin Dibran Përçuku kanë dalë në vendin e ngjarjes  menjëherë. Ata kanë ftuar autoritetet e Bashkësisë Islame në Vushtrri, për t’i varrosur eshtrat, por paraprakisht do të bëhet ekspertiza e tyre nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Sipas Pretenit, pronarja e shtëpisë dhe e pronës, Nurie Halili, me të gjetur mbetjet mortore ka njoftuar policinë, ndërsa policia ka njoftuar EULEX-it, të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por ata i kanë ndërprerë punimet, pasi që kanë konstatur se mbetjet mortore i takojnë luftës së dytë botërore, ndërkaq ata kanë kompetenca vetëm për luftën e fundit në Kosovë.

“Ata të EULEX-it i kanë ndërprerë punimet, sepse kanë thënë se nuk kanë kompetenca për atë që ka ndodhur në luftën e dytë botërore, as për varreza masive as për asgjë tjetër, por vetëm për ato të luftës së fundit. Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar Bashkësinë Islame në Vushtrri që t’i varrosë mbetjet mortore, por paraprakisht duhet të bëhet ekspertiza. Kafkat kanë shumë vrima plumbash që tregon se ata 9 persona janë ekzekutuar. Derisa të bëhet ekspertiza nuk dihet se çfarë moshe ishin ata dhe të çfarë gjinie. Parcela nr. 494 në vendin e quajtur ‘Klisyrë’, ku janë gjetur eshtrat i ka takuar gjithmonë familjes Halili nga Dubovci, por gjatë kohës së kolonizimit të Kosovës me serbë dhe malazezë, kësaj familje i ishte marrë prona dhe i ishte dhënë malazezit Radulle Mitrovicë, në pronësi të të cilit ka qenë deri në vitin e kaluar, kur pronare është bërë Nurie Halili. Punëtorët që kanë qenë duke punuar i kanë mbledhur me kujdes eshtrat dhe i kanë vendosur në qese najlloni, për të mos u dëmtuar nga qentë. Ata janë aty në vendin ku janë gjetur dhe presin që të vijnë mjekët ligjorë për të bërë ekspertizën”, ka sqaruar Preteni.

Ndërkaq, Nuria ka thënë se kishte angazhuar njerëz për t’i hapur themelet për shtëpinë të cilën mendon ta ndërtojë në atë pjesë, por punëtorët kishin hasur në eshtra njerëzish.

“Menjëherë e kam lajmëruar policinë edhe këta në komunë. Policia e kishte njoftuar EULEX-in, por patologët e Mjekësisë Ligjore të EULEX-it i ndërprenë punimet, sepse thanë se ata janë të luftës së dytë”, tregon ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.