Lajmet e fundit

Në Ferizaj nxënësve u shpërndahen dhurata me afat të skaduar, Drejtoria e Arsimit s’di gjë (VIDEO)

Nxënësit e Shkollës Fillore “Besim Rexhepi” në fshatin Komogllavë të Komunës së Ferizajt, rrezikojnë helmimin.

Ata janë ushqyer me produkte me afat të skaduar, të cilat i pranuan si dhurata për festa të fundvitit nga Depoja Ushqimore “Agimi”.

Në mesin e produkteve kishte edhe të atilla që afati për përdorim u kishte skaduar tash tri vjet.

Pronarët e kompanisë “Agimi” nuk pranuan të prononcohen për media, por njëri nga menaxherët e saj i tha Klan Kosovës se mbushja e pakove të dhuratave është bërë jo nga ta, por nga një kompani tjetër vendore.

Për 345 dhuratat pa afat nuk ishte fare në dijeni drejtori i Arsimit në Ferizaj, Muhamet Halili.

Vetëm pasi u kontaktua nga Klan Kosova ai mori vesh se çfarë kishte ndodhur.

“Nuk kemi fare informacione. Ne nuk përzihemi meqë është donator privat”, tha Halili, duke shtuar se zakonisht për blerjen e këtyre dhuratave për fëmijë vendos Këshilli i Shkollës.

Ai tha se qysh nesër, e hënë, do të kontaktojë kompaninë në fjalë dhe do ta njoftojë Inspektoratin Sanitar, për të kontrolluar produktet.

“Askush nuk guxon t’i rrezikojë fëmijët”, tha Halili.

Leave a Reply

Your email address will not be published.