Lajmet e fundit
Në Gjakovë koalicioni AKR- LDK drejt fundit!

Në Gjakovë koalicioni AKR- LDK drejt fundit!

Koalicioni i lidhur ndërmjet Aleancës Kosova e Re dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Gjakovës duket se po shkon drejt fundit. Kështu kanë thënë burime të Gazetës Blic të afërta me këtë koalicion. Sipas këtyre burimeve, pritet që brenda pak ditësh të përfundoj gjithçka ndërmjet këtyre dy partive.

Madje, Mimoza Kusari- Lila tashmë ka nisur negociatat me partitë tjera në Gjakovë që të formoj një koalicion të ri.

Por, as LDK nuk po qëndron duarkryq. Kjo parti do të mundohet që koalicion me AKR-në ta prish, para se Kusari- Lila t’i përzë nga qeverisja në këtë komunë.

“LDK në Gjakovë pritet që të dielën ta mbledh Kryesinë e Partisë, ku pritet që edhe formalisht të paralajmëroj prishjen e koalicionit me AKR-në”, ka thënë ndërkaq, një burim i Gazetës Blic brenda kryesisë së kësaj partie.

Siç ka mësuar gazeta arsyeja kryesore për prishjen e këtij koalicioni ka të bëjë me atë se Mimoza Kusari- Lila është shumë e pakënaqur me drejtorët që vijnë nga radhët e LDK-së dhe me vetë kryesuesin e Kuvendit Komunal, Luan Golën, i cili është edhe kryetar i LDK-së në Gjakovë.

“Një kërkesë e mëhershme nga ana e kryetares së kësaj komune Mimoza Kusari-Lila, për shkarkim të njërit nga dy drejtorët e LDK-së, pasi kishte gjetur fakte se ky i fundit,  nuk kishte mundur ti rezistonte një tundimi korruptiv dhe marrja në mbrojtje e këtij të fundit nga Kryesuesi Gola, mësohet të mos jetë pëlqyer aspak nga ana e Kryetares së Komunës së Gjakovës”, ka thënë ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, kryetarja e Komunës së Gjakovës ndjehet e tradhtuar nga ana e Kryesuesit të Kuvendit Gola, ngase ka mësuar se ky i fundit, ka bashkëpunuar me përfaqësues të opozitës, gjegjësisht më ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke dhënë edhe informacione të fshehta më qëllim sulmi të Kryetares Kusari-Lila.

Kryetari i LDK-së në Gjakovë, Luan Gola në një prononcim për Gazetën Blic as nuk e ka mohuar e as pohuar mundësinë e prishjes së koalicionit me AKR-në. Ai ka thënë se koalicioni është ende duke funksionuar.

“Koalicioni ende është duke vazhduar. Nuk e di nga i keni marrë informatat se do të prishet koalicioni, mirëpo pas të hënës do të qartësohet gjithçka”, ka thënë ai, duke thënë se momentalisht nuk mund të jep detaje tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published.