Lajmet e fundit
Në Kosovë një profesor ligjeron në 6 lëndë

Në Kosovë një profesor ligjeron në 6 lëndë

Në Universitetet e Kosovës ekzistojnë raste të shumta ku një profesor ligjëron disa lëndë, e po ashtu nuk janë të pakta rastet ku profesorët ligjërojnë vetëm me librat e tyre të botuara dhe i obligojnë studentët t’i blejnë ato. Një rast të tillë e kanë raportuar në Gazetën Express studentë nga Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”
Në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, profesori Kolë Krasniqi ligjëron hiç më pak se gjashtë lëndë të ndryshme

Ky profesor ligjëron lëndët: “E drejta penale”, “Krimi i organizuar”, “Penologji”, Kriminologji me Penologji”, “Terrorizmi” dhe “E drejta penale ndërkombëtare”. Ndërkohë, i njëjti ka edhe postin e Dekanit të këtij fakulteti.

Edhe pse, ligjërimi i disa lëndëve nuk sanksionohet me statut të Universitetit mbetet e paqartë se a po bëhet kjo për shkak të mungesës së kuadrove apo për shkakun se vetë profesori dëshiron t’i mbajë i vetëm të gjitha këto lëndë për ta plotësuar normën e orëve të ligjërimit.

Sipas burimeve të Gazetës Express në Universitetin “Haxhi Zeka”, ky profesor ligjëron me librat autor i të cilave është vetë. Më saktë, bëhet fjalë për librin “Terrorizmi ndërkombëtar”, i cili kushton rreth 15 euro. Studentët janë ankuar se po obligohen ta blejnë këtë libër çmimi i të cilit thonë që është i shtrenjtë për xhepin e tyre.

Sipas të njëjtit burim, profesori Krasniqi nuk i ka në qejf fort ata që kanë mendim që dallon nga mendimi i tij, kështu që të tillët ndëshkohen me nota 5she.

Profesori në fjalë nuk ka dashur t’u përgjigjet pyetjeve të Gazetës Express, duke thënë se nuk dëshiron të merret me shpifje të, siç tha ai, personave anonim.

Sipas ekspertit të arsimit, Jusuf Thaçi secili profesor universitar duhet ta ketë të mbaruar doktoraturën që nënkupton se personi në fjalë specializohet në një temë apo fushë mjaft të ngushtë.

Thaçi ka thënë për Gazetën Express se ligjërimi i një numri të madh të lëndëve nga një profesor, vetëm për ta plotësuar normën apo vetëm për ta arritur pagën e tyre, ndikon në zvogëlimin e cilësisë së studimeve sepse nuk mund të përgatisë studentë cilësorë e kompetentë një “profesor universal”.

“Kjo sigurisht që ndikon në zvogëlimin e cilësisë së studimeve, sepse nuk mund të përgatisë studentë cilësorë e kompetentë një profesor “universal” që ligjëron shumë lëndë, për të cilat nuk është i përgatitur”, ka thënë Thaçi për Express.

Leave a Reply

Your email address will not be published.