Punësime pa konkurs të mësimdhënësve janë bërë edhe në Shkollën Fillore “Drita” në fshatin Majac të Podujevës, përkatësisht në dy paralelet e ndara të kësaj shkolle, fshatin Lupç dhe Popovë. Kësaj here janë punësuar mësimdhënës joadekuat.
Dikush me Edukatë Fizike të jap lëndën e Biologjisë, e dikush me shkollë të mesme lëndën e Kimisë. Dikush tjetër i diplomuar për makineri të jetë mësues klasor, e dikush tjetër mësimdhënës i tri lëndëve: Fizikë, Art Figurativ dhe TIK. Këto janë punësimet joadekuate pa konkurs që janë bërë në paralelen e ndarë të Sh.F. “Drita” në Lupç.
E këto punësime pa konkurs sipas një burimi të portalit “Llapi.info” i ka bërë drejtori i Sh.F. “Drita”, Ahmet Gashi, i cili ka pranuar të jenë punësuar mësimdhënës pa konkurs. Por, ky i fundit fajin e ka hedhur tek drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Maloku, i cili nuk ka hapur konkurs për këto orë, ndonëse kërkesa për të hapur konkurs është bërë nga Ahmet Gashi.
“DKA-ja është ajo e cila i bënë kontratat. Na nuk bëjmë kontrata. Nuk ka pasur konkurs sepse shkolla e ka bërë kërkesën për konkurs, por Drejtoria e Arsimit i ka pasur arsyet e veta për sistemimin e punëtorëve. Kërkesen për këto orë e kemi bërë në qershor dhe orët nuk kanë dalur në konkurs. Drejtoria e Arsimit nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje, sepse ata neve nuk na dhajnë llogari”, ka thënë Gashi për Llapi.info
Nga ana tjetër, Llapi.info që nga e hëna ka provuar të marrë një përgjigje nga Drejtori i Arsimit, Avni Maloku, për këto punësime, por ky i fundit thujse çdo herë ka qenë “i zënë”. Ndërsa, sot që nga mëngjesi gazetarë të portalit “Llapi.info” kanë pritur para derës së tij, por, kur ky i fundit është takuar ai nuk ka dashur të përgjigjet duke thënë se i ka punët e veta.
“Vajzë ti e kryn punën tane, unë i kom punët e mija”, ka thënë Maloku.
Kurse punësimet për të cilat bëhet fjalë janë:
1. Enver Azemi, i diplomuar për makineri është mësues klasor. Madje, ky është edhe kryetar i degës së LDK-së në këtë fshat. E, sipas drejtorit, Ahmet Gashi, ky nuk është punësuar sepse ka qenë duke punuar që moti.
2. Fetah Gashi, i diplomuar për edukatë fizike në kolegjin “AAB”, është punësuar si arsimtar i Biologjisë për 6 orë dhe 11 orë mësim zgjedhor.
3. Gani Hoxha, ka të përfunduar vetëm shkollën e mesme, është punësuar si arsimtar i Kimisë për 6 orë.
4. Jusuf Krasniqi, është mësimdhënës i lëndës së TIK-ut, 2 orë Fizikë dhe 1 orë Art Figurativ.
Kurse për paralelen e ndarë të kësaj shkolle në Popovë ishte hapur konkurs për tre mësimdhënës të arsimit fillor. Por, punësimet që janë bërë për këtë konkurs janë:
1. Sabit Shala, paradiplomimit në Fakultetin Juridik, i punësuar si mësus klasor tash e 25 vite.
2. Muhamet Murati, i diplomuar në Histori, është punësuar si mësus klasor, dhe
3. Gjylferie Gërvalla, e diplomuar për Gjuhë Frenge, është punësuar si arsimtare e Gjuhës Angleze.
Për këtë të fundit, burimi i portalit “Llapi.info” ka thënë se dyshohet të ketë diplomë false në kolegjin AAB.
Por, një gjë të tillë e ka demantuar drejtori i kësaj shkolle, Ahmet Gashi, i cili ka thënë se Gërvalla është e diplomuar në dy fakultete dhe ka diplomë origjinale.