Lajmet e fundit

Në Prishtinë tatimi në pronë për të pasurit rritet, për të varfrit ulët

prishtinaMe reformat e nisura nga viti i kaluar për Tatimet në Pronë në komunën e Prishtinës, del se më në fund personat me më pak të ardhura, apo kategoria e personave të varfër, do të përfitojnë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha sot se të gjitha pronat që konsiderohen më të pasura, tani me reformat e reja do të paguajnë tatim më të lartë për dallim nga pronat të cilat janë më në largësi të qendrës ose kanë vlerë më të ulët të pronës.
Ahmeti tha se tatimpaguesit do të paguajnë vetëm sa është vlera e tregut në lagjen ku ata banojnë. Ai ka përmendur sheshet e Prishtinës, ku çmimi që kanë paguar qytetarët deri më tani ka qenë 400 euro për metër katrorë, kurse vlera e tregut sipas tij është rreth 1500 Euro.
“Shembull: deri më tani në qendër të Prishtinës, në sheshet kryesore, prona është vlerësuar me 400 Euro për metër katrorë. Ndërkohë dihet se vlera e tregut është rreth 1500 euro. Prapë nuk e kemi bërë vlerën e tregut, por ju kemi përafruar… Ndërsa se sa po shkon vlera e tregut!? Kjo varet, sepse rregullorja i ka rrugët e caktuara dhe zonat, dhe e ka të definuar secilën zonë se si shkon. Ne do të dëgjojmë çdo ankesë, mirëpo në qoftë se dikush vjen dhe e ka shtëpinë me vlerë 200.000 euro dhe tash ankohet se ka paguar 50 euro në vit dhe tash e ka 150, më vjen keq por ne mendojmë që ata që e kanë gjendjen më të mirë ekonomike duhet ta bartin një pjesë më të madhe të barrës dhe natyrisht mbledhja më e mirë e tatimit në pronë rezulton në ofrim të shërbimeve më të mira“, tha Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës ka përmendur edhe lagjet që cilësohen si “lagje të varfra” të qytetit, ndërsa në realitet bëjnë pjesë në lagjet e pasura. Përndryshe Ahmeti tha se një pjesë e madhe e zonave të cilat konsiderohen si të varfra u janë ulur tatimet mbi pronë.
“Shembull në të kaluarën ‘Kodra e Trimave’ ka qenë e paraparë në zonën e dytë, që është zona e dytë më e lartë për nga pagesa, duke u thënë se është në afërsi prej qendrës, ndërsa lagjja ‘Veternik’, lagjja ‘Qëndresa’, lagjja ‘038’, ‘Fshati Ndërkombëtarë’, dhe të gjitha këto lagje të cilat konsiderohen si lagje më të pasura kanë qenë zonë e kategorisë 7, 8, 9, domethënë si lagje më të varfra në zonën e Prishtinës. Pra, këto gjëra kanë ndryshuar tashmë. Një pjesë e madhe e këtyre zonave të cilat ne i konsiderojmë me gjendje më të rëndë sociale u është zvogëlua tatimi në pronë, por ata nuk i dëgjoni duke u ankuar sepse askush nuk ankohet për zvogëlim. Ndërsa në disa lagje është bërë vlerësim më i drejtë i pronës”, tha Shpend Ahmeti.
Ai gjithashtu tha se mund të bëhet ankesë për raste të veçanta ku një familje nuk i ka kushtet të paguaj dhe sipas tij me ankesë mund të rregullohet çdo gjë.
“Ka mundësi të tjera, po them çdo gjë mund rregullohet me ankesë. Çdo çështje do ta dëgjojmë. Në çoftë se një banesë është e vjetër dhe për shembull është ne shesh dhe në të kemi një familje shumë anëtarësh, atëherë ka mundësi që me ligj, me rregulloren të cilën e kemi kalua, të vlerësojmë edhe lirimet të cilat mund t’i bëhen dikujt për tatim në pronë“, tha i pari i Prishtinës. /Kp/Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.