Pas 8 orë operacioni, në Klinikën e Neurokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është arritur që me sukses të hiqet tumori nga pacientja e komunitetit rom, E.G (2001) nga Komuna e Lipjanit.
Operacioni, siç thotë QKUK në njoftimin për media, është kryer në vazhdën e operacioneve të suksesshme të kryera gjatë vitit 2015 nga kjo klinikë.
Operacionin ka kryer ekipi operator në përbërje të: Prof.dr. Arsim Morina, Ass.dr. Agon Mekaj dhe dr. Fatos Kelmendi, me specialisten e anesteziologjisë, Dr. Qamile Morina, instrumentaren Sanije Dervishi, infermieret Alldina Sylejmani dhe Vjollca Sopjani.
“Pacientja ishte me tumor në trurin e vogël, përkatësisht në ventrikulin e katërt, i ngjitur për trungun trunor, e cila bllokonte qarkullimin e likuorit (lëngut trunor-shpinor). Tumori hiqet në tërësi duke u liruar qarkullimi i likuorit. Pra, paraprakisht pacientja ka pasur nevojë të operohet për të vënë shantin. Operacionet e tilla janë sfiduese edhe në qendrat më të zhvilluara neurokirurgjie në botë”, thuhet në këtë njoftim të QKUK-së.
QKUK njofton gjithashtu se tani pacientja ndihet mirë dhe është pa asnjë deficit neurologjik, ndërsa trajtimi i mëtejmë vazhdon nga ana e onkologut (me kemioterapi dhe radioterapi).