Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka bërë me dije se pas përfundimit të zgjedhjeve brenda këtij institucioni do t’i vizitojë Tunizinë dhe Algjerinë, ndërsa pritet njohja edhe nga Siria.
Në një intervistë për “Epokën e re”, myftiu Tërnava ka thënë se Tunizia dhe Siria do të jenë shtetet e radhës të cilat do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Më vjen mirë që Kosova është njohur nga 105 shtete. Në të ardhmen e afërt do të na njohin edhe shtetet e tjera. Sipas mendimit tim, në radhë për ta njohur Kosovën janë Tunizia dhe Siria”, ka thënë Tërnava, duke shtuar se ka kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e shtetit të Tunizisë.
Në këtë kontekst, Tërnava ka lavdëruar Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) për punën që ka bërë në raport me shtetin e Tunizisë. “Dua të them se MPJ-ja është shumë aktive në atë pjesë të botës. Kjo nuk të thotë se unë po ia mbaj krahun MPJ-së, por kjo është e vërteta”, ka deklaruar Tërnava.
Duke folur për aktivitetet brenda institucionit që drejton, myftiu Tërnava ka thënë se në BIK gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve. Sipas Tërnavës, edhe zgjedhjet brenda BIK-ut janë duke u zhvilluar pa ndonjë problem. “Ju të gjithë e dini se më 18 shtator janë shpallur zgjedhjet brenda BIK-ut dhe do të vazhdojnë deri më 18 nëntor”, ka deklaruar Tërnava.
Myftiu i Kosovës ka folur edhe për projektin për ndërtimin xhamisë së madhe në Prishtinë. Ai ka thënë se nuk ka kurrfarë shansesh të dështojë realizimi i këtij projekti. “As ëndërr nuk mund të shihet dështimi i projektit për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë”, ka thënë Tërnava, duke e vlerësuar lart tolerancën fetare në Kosovë.
Ndërkaq me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu Tërnava i ka uruar të gjithë besimtarë islamë shqiptarë për këtë festë, duke kërkuar nga ta të solidarizohen njëri me tjetrin dhe t’i harrojnë zënkat e mosmarrëveshjet mes vete.