Lajmet e fundit

Në shtëpinë e Ardit Ferizit: Nuk jemi ISIS!

Ekipi i KALLXO.com ka biseduar me anëtarë të familjes së të arrestuarit në ditën kur lajmi se ndaj birit të tyre Ardit Ferizi, drejtësia amerikane ka ngritur kallëzim penal nën dyshimet për shpërndarje të informacioneve të fshehta të ushtrisë amerikane për ISIS-in.

Sipas kallëzimit penal, Ferizi hyri në një sistem kompjuterësh të një kompanie në SHBA dhe vodhi informacion personal të më shumë se 1000 anëtarëve të ushtrisë dhe punonjësve federalë.

Babai i tij, inxhinieri Naim Ferizi nga Gjakova, tha për KALLXO.com se djali i tij nuk ka fare të bëjë asgjë me ISIS.

“Djali im është arrestuar më 15 shtator. Ky lajm që ka dalë sot në media na ka tmerruar si familje. Djali im mund të jetë gjenial në shkencat kompjuterike por nuk mundet të hyjë në sistemin e shtetit më demokratik dhe më të sigurt në botë për të marrë informacione”, tha Naim Ferizi për KALLXO.com.

Ai tha se familja e tij “nuk ka kurrfarë lidhje” me ISIS-in ndërsa foli me admirim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi familje tradicionale shqiptare e shkolluar, jemi pro shtetit të Amerikës dhe çdo vit aplikojmë për Green Card”, tha Naim Ferizi duke iu referuar programit vjetor të qeverisë amerikane për shtetas të huaj.

“Pas arrestimit të djalit kemi kontaktuar dy herë me të dhe ka qenë e planifikuar që ai të lirohet, por mandej nuk e dimë çka ka ndodhë”, tha Naim Ferizi.

Ai u shpreh se të hënën planifikon të shkojë në Ambasadën Amrikane në Prishtinë “që ta jap versionin e vërtetë të familjes sime dhe djalit tim”.

Më herët, prokuroria në Gjakovë konfirmoi se Ardit Ferizi është person me precedent penal që si i mitur.

Edhe babai i Arditit e konfirmoi këtë.

“Është e vërtetë që djali im që nga mosha 15 vjeçare ka pasur probleme me polici për shkak se ka ndërhyrë në disa faqe interneti në Kosovë, por unë nuk besoj se ai është aq gjenial sa ta rrezikojë sigurinë kombëtare të Amerikës”, tha Naim Ferizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.