Nga 25-29 janar, ligjvënësit nga vendet e Evropës do të paraqesin raporte dhe do të adoptojnë rezoluta në lidhje me çështjet më të ngutshme ndërkombëtare, shkruajnë mediet e huaja
Terrorizmi Ndërkombëtar
Raportet e titulluara: “Luftëtarët e huaj në Siri dhe në Irak” dhe “Luftimi i terrorizmit ndërkombëtar duke mbrojtur standardet dhe vlerat e Këshillit të Evropës”, do të prezantohen gjatë këtij sesioni. Këto dy raporte janë të ndërlidhura kryesisht me aktivitetet e ISIS-it, si dhe luftëtarët e huaj që po lënë vendet e Evropës për t’iu bashkuar terroristëve në Siri dhe në Irak. Raporti sugjeron edhe një zgjidhje globale për këtë problem.
Kriza e refugjatëve në BE
Kriza e refugjatëve dhe e emigracionit në Evropë do të adresohet në raportet: “Deti Mesdhe: porta kryesore e emigrimit të paligjshëm” dhe “Krimi i organizuar dhe emigrantët”.
Kosova
Situata në Kosovë do të jetë po ashtu në agjendën e sesionit dimëror. Raportuesi dhe ligjvënësi spanjoll, Agustin Conde, do të lexojë një raport mbi situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës.
Sipas Conde, në Kosovë demokracia po përballet me një sërë vonesash dhe bllokadash në punën legjislative, dhe me një “korrupsion endemik dhe të përhapur që ndikon negativisht në jetët e njerëzve në Kosovë, si dhe e lë pas zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
Ligjvënësi ka realizuar një vizitë dyditore faktmbledhëse në Prishtinë në tetor të vitit 2015, me qëllim të përgatitjes së këtij raporti.
Polonia
Delegatët e PACE do të adresojnë çështje të funksionimit të institucioneve në Poloni, i cili vend është kritikuar rishtazi për disa ligje kontroverse të adoptuara nga autoritetet atje.