Lajmet e fundit

Në vend të kullës së përbashkët po ndërtojmë baraka individuale!

Nga Emin Azemi
 
Një grupim politik që veten e quan Lëvizje ka propozuar të formohet një Këshill mbipartiak për të udhëhequr opozitën shqiptare në Maqedoni. Si ide nuk është e re dhe e padëgjuar, por e pazakontë është që një grupim ekzistues, ose një parti politike, të angazhohet për organizim apo mbikëqyrje mbipartiake. Kjo i bie që partinë (të) ekzistuese ta udhëheqë ajo që konceptohet si mbiparti. Nevoja për këtë mbipartishmëri po shfaqet në kohën kur në Maqedoni ekziston njëfarë krize e identitetit politik e doktrinar të opozitës shqiptare, dhe më në krizë si duket ndodhet ajo prej nga vjen edhe ky propozim.
Nëse qëllimi i propozuesve është që ky Këshill mbipartiak i intelektualëve ta unifikoj opozitën, kjo duket e pamundur, jo vetëm se tingëllon utopike, por edhe për faktin se ideja si tharm publik është përpunuar në një qark shumë të ngushtë njerëzish me afinitete të përafërta dhe të afërt me një subjekt politik. Afishimi i emrave që eventualisht do të mund ta udhëhiqnin këtë Këshill mbipartiak, nuk përbën kurrfarë risie, sepse emrat e përveçëm sado të veçantë të jenë ata, nuk janë shumë larg preferencave individuale të një grupimi politik dhe si të tillë ata emra assesi nuk mund të përfaqësojnë një shumicë opozitare, aq më tepër kur që në start dy parti opozitare e mohuan të kenë qenë të përfshirë në konsultime për formimin e një Këshilli të tillë.
Dëshira për të bërë pronë publike një ëndërr që dikush e sheh në një skutë të vetmisë, tingëllon si një mekanizëm që fut në lëvizje pjesët statike të një makine së cilës i mungojnë pjesët kryesore për ta bërë atë efikase. Frika për të dalë me oferta politike origjinale dhe kamuflimi i tyre me forma të tejkaluara të folklorizmit socio-politik, siç është edhe ideja për Këshillin mbipartiak, vetëm sa e bënë të pamundur ngjizjen e ideve politike brenda një kauze që kërkon implementim dhe operacionalizim.
Nga ana tjetër edhe fshehja e individëve të caktuar pas projekteve megalomane që nuk kanë ndonjë substancë programore-doktrinare dhe mospranimi i tyre për t’u përfshir
ë në jetën politike përmes anëtarësimit në ndonjë parti politike, përbën mungesën e guximit dhe besimit elementar për t’u marrë me projekte serioze. Megalomanë të tillë kemi patur rastin të shohim jo rrallë në këto dekada të pluralizmit politik dhe mjafton ta rikujtojmë Rexhep Qosjen, një mendimtar që shkëlqente kur ishte jashtë organizimit partiak dhe një xhuxh që humbiste si fluska e sapunit kur tentonte të përfshihej në garën politike. Paaftësia dhe pamundësia e profesor Qosjes për të mbushur një autobus njerëzish që do ta mbështesnin garën e tij politike në xhunglën e ashpër të konkurrencës, dorën në zemër, nuk përbënte hendikepin e tij intelektual për të rrezatuar në fushën e gjerë të ideve, por përbënte empirinë kohore që nga Aristoteli e  deri sot se në politikë futesh duke qenë njëfarë pjesëmarrësi në garën e fortë dhe assesi ndonjë benjamin i dikujt që ulesh me njerëz për t’ua zbukuruar tavolinën.
Shpallja e individëve të caktuar si bartës të atributeve mbipartiake, është një shtrembërim amator i pasqyrës pa kornizë brenda së cilës portretohen njerëz të cilët a priori imponohen si shpëtimtar të kombit. Nëse një Lëvizje politike e ka menduar se ata pikërisht janë të tillë, na habit ngurrimi për të mos i përfshirë ata në strukturat e brendshme partiake. Për më tepër, kur një Lëvizje na tregon prej përpara se kush është më meritori për të udhëheqë MBIPARTIAKISHT opozitën shqiptare, kjo u jep të drejtë edhe partive të tjera të propozojnë MBIPARTIAKËT e tyre dhe kështu në vend se të ndërtojmë një kullë të fortë me gurë, ne po ngremë do baraka të montuara secili në oborrin e vet.
Partitë opozitare shqiptare duhet t’i braktisin këto fizkultura të karrabethavta që nuk prodhojnë kurrfarë ideje për unifikim dhe duhet seriozisht të bëjnë bashkë mendjet dhe punët në arritjen e njëfarë konsensusi optimal për çështje që kanë nevojë më së tepërmi shqiptarët në Maqedoni. Një listë e përbashkët zgjedhore mund të jetë hapi i parë drejt këtij unifikimi, dhe kurrsesi barakat që lëshojnë shiun dhe të mërdhijnë me ftohtësinë megalomane të xhuxhëve politikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.