Lajmet e fundit
Në Zelandën e Re nuk lejohet të interpretohet vepra dedikuar kosovarëve

Në Zelandën e Re nuk lejohet të interpretohet vepra dedikuar kosovarëve

Vepra korale, të cilën kompozitori me nam Karl Jenkins ua kishte dedikuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë, nuk është lejuar të interpretohet në një katedrale të Zelandës së Re.

“The Armed Man: Mass for Peace” (Njeriu me armë: meshë për paqe), që përfshin himnin e krishterë të shekullit IV dhe Ezanin, nuk është pranuar të interpretohet në Katedralen e Nelsonit, në koncertin që për mision kishte promovimin e tolerancës fetare. Lajmi është publikuar nëpër media lokale të Zelandës së Re, të cilat kanë raportuar se shkak i ndalimit të veprës është përmbajtja islamike. Vepra të cilën Jenkins e kompozoi më 1999, është interpretuar gati 2 mijë herë në vende të ndryshme të botës.

Në Kosovë një pjesë e saj u interpretua për nder të 7-vjetorit të Pavarësisë më 17 shkurt. Ndërsa me një formacion prej mbi 120 vetash, kjo vepër u interpretua e plotë për herë të parë në Kosovë në koncertin e Filarmonisë së Kosovës, në Sallën e Kuqe, në mars të këtij viti. Vetë kompozitori Karl Jenkins qe i pranishëm në koncertin 60-minutash. Me këtë rast atij iu nda “Medalja presidenciale e meritës”.

Në një artikull të publikuar në “stuf.co.nz”, me titull “Koncerti për tolerancë fetare ndalohet nga Katedralja e Nelsonit për shkak të përmbajtjes islamike”, është shkruar se ndalimi i veprës është bërë pasi kreu i Katedrales ka thënë se “Armed Man…” “nuk është e krishterë”. Sipas këtij artikulli, ky vendim ka dëshpëruar anëtarët e korit “Nelson Civic Choir”, veçanërisht për shkak se koncerti po organizohej për të promovuar tolerancën fetare.

“Udhëheqësi i ‘Nelson Civic Choir’, Wim Oosterhoff, është ndier se vendimi i kreut të ‘Christ Church Catherdral’ për të mos qenë nikoqir i ‘The Armed Man…’ ishte ‘ironik” dhe tregon jotolerancë fetare”, shkruhet në artikullin ku shpjegohet se koncerti ku do të interpretohet kjo vepër do të zhvendoset në Kolegjin e Nelsonit, një qytet me rreth 50 mijë banorë.

Sipas këtij artikulli, “The Armed Man” ishte interpretuar në Katedralen e Nelsonit më 2007. Por Nick Kirk, nga kjo katedrale, ka thënë se ka refuzuar kërkesën e korit për ta performuar për shkak se ajo nuk kishte të bënte me besimin e tyre.

“Ai ka thënë se vepra nuk reflekton vlerat e katedrales nën udhëheqjen e tij. Kur është pyetur se përse performanca ishte lejuar më 2007, Kirksaid ka thënë se ‘unë jam tjetër kryesues’, shkruhet në artikull, ku po ashtu Kirk citohet të ketë thënë se “krishterimi nuk bën kompromis me religjionet e tjera”.

“Mendoj që njerëzit duhet të kuptojnë se krishterimi qëndron vetëm. Jezusi ka thënë që nuk ka mënyrë tjetër shpëtimi pos nëpërmjet tij. Nëse fillojmë të themi se ndonjë mënyrë tjetër është në rregull, nuk do të jetë e vërtetë”, citohet të ketë thënë Kirk.

Sipas këtij artikulli, peshkopi i Nelsonit, Richard Ellena, ka thënë se ai e admiron veprën, por është shumë vështirë që të interpretohet në katedrale. Ellena ka thënë se arsyeja kryesore pse kori nuk e ka performuar veprën në katedrale është sepse hapësira nuk është mjaftueshëm e madhe.

“Ai gjithashtu ka thënë se ka folur me Oosterhoff në fillim të vitit, kur i kishte thënë se katedralja ka pasur kënaqësinë të jetë nikoqire e performancës më 2007, por ‘situata ka ndryshuar krejtësisht me rritjen e ISIS-it dhe persekutimin e rëndë të të krishterëve””, shkruhet në artikullin e publikuar në “stuff.co.nz”.

E Oosterhoff, nga ana tjetër, besonte se vepra është aktuale veçanërisht tani.

“Ka gjëra të tmerrshme që po ndodhin në botë në emër të islamit, por njerëzit duhet të shohin se jo të gjithë që e ndjekin islamin kanë idetë e njëjta si ato të ISIS-it”, citohet të ketë thënë ai.

Duke folur për “Classic FM”, udhëheqësi i korit, Wim Oosterhoff, ka deklaruar se nuk mund t’ua ndryshojë mendjen njerëzve.

“Nëse ata kanë një qëndrim, është e vështirë ta ndryshojmë atë”, ka thënë Oosterhoff, duke shtuar se fokusi duhet të jetë në performancën e korit dhe jo në vendin ku do të mbahet ajo.

“Nelson Mail” ka publikuar një editorial në përkrahje të performancës, duke lavdëruar koncertin e mëhershëm të mbajtur më 2007, duke nënvizuar se katedralja nuk duhet të bllokojë besimet.

“The Armed Man…” e Jenkinsit që nga koha kur ishte kompozuar, ishte bërë një prej performancave më të famshme të muzikës korale. Ajo përmban pjesë nga fe të ndryshme duke përfshirë edhe Ezanin dhe poemën e famshme indiane “Mahabharata”. Kjo vepër për herë të parë është interpretuar më 24 prill të vitit 2000 në Angli dhe si një thirrje për paqe ka pasur për qëllim sensibilizimin e mbarë opinionit botëror që mileniumi i tretë të shënojë një ndryshim radikal në mbarë njerëzimin. Kompozitorit nga Walesi, Muzeu Mbretëror i Armëve në Angli më 1998 do t’ia porosiste një vepër korale. Siç kishte thënë ai, dedikimi për Kosovën qe i pashmangshëm pasi gjatë gjithë kohës do të dëgjonte për tmerret e luftës.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se ka mbetur i befasuar nga lajmi për ndalimin e kësaj vepre në Zelandën e Re, kur merret parasysh se ajo është interpretuar pothuajse në mbarë botën.

“Në disa incizime kam parë se interpretimet kryesore të kësaj vepre janë bërë nëpër kisha, ku shihet edhe hoxha me kostum teksa e këndon ezanin midis Romës, Parisit apo diku tjetër. Ky është ekskluzivisht ekstremizëm fetar”, ka thënë Jashari. “Por jo fundamentalizëm qysh ua veshin myslimanëve. Fundamentalizëm katolik që s’ka të bëjë me art. Vendimi shumë i gabuar”, ka shtuar ai.

Sipas Jasharit, Jenkins në këtë vepër i ka gërshetuar aspektet kryesore të disa feve, duke përfshirë atë hebraike, indiane, katolike, myslimane dhe i ka përmbledhur në një vepër që ka për qëllim të promovojë paqen.

“Jam shumë i habitur dhe ky vendim i tyre është i papranueshëm në çdo aspekt, si religjioz e posaçërisht artistik, pasi që vepra promovon paqe e jo fe”, ka thënë ai.

Jashari ka shtuar se nuk e kupton logjikën e një vendimi të tillë për shkak se kjo vepër e respekton Kishën dhe vetë fjala meshë që është vënë në titull është fjalë që çmohet në secilën katedrale e komunitet kishtar.

“Nuk po mund të kuptoj arsyeshmërinë e autoriteteve në Zelandën e Re. Kjo është diçka ekstreme, sepse e dimë që në katedrale dhe objekte fetare kishtare muzika është e mirëseardhur”, ka thënë ai.

“Njeriu me armë: meshë për paqe” është e ndarë në 13 pjesë. Nis me marshimin e ushtarëve, vazhdon me përgatitjen për luftë, më pas me humbjen dhe në fund me thirrjen për paqe. Titulli i veprës bazohet në një melodi franceze anonime e cila, siç kishte rrëfyer Jenkins në një intervistë , ishte përdorur në shekujt XIV- XV dhe quhej “L’homme armé”. Ai kishte thënë se një prej qëllimeve të kësaj vepre ishte edhe thirrja për tolerancë ndërfetare.

“Teksti në vepër është multinacional. Po ashtu ka edhe pjesë lutjesh kishtare dhe myslimane, siç është ezani në pjesën e dytë. Më pas është një poezi nga poetët e njohur britanikë, John Dryden dhe Jonathan Swift. Janë edhe ekstraktet biblike”, kishte thënë Jenkins.

Një ndërthurje e myezinit tek këndon ezanin është e pazakonshme për një vepër të tillë. Në interpretimin e kësaj vepre në Prishtinë ezani u këndua nga tenori Liridon Sadriu, por në vende të tjera zakonisht është myezini i cili ngjitet në skenë. Për këtë pikë Jenkins kishte treguar se ka hasur edhe në kundërshtime. Rasti i Zelandës së Re nuk është i pari.

“Vepra është luajtur shumë herë dhe mund t’i numëroj problemet rreth kësaj. Një rast ishte në Suedi, një në Holandë e po ashtu edhe në Amerikë, ku autoritetet e kishës refuzuan që vepra të performohet në kishë për shkak të përmbajtjes”, kishte thënë kompozitori i shquar, teksa kishte shtuar se nuk kishte lejuar asnjëherë që ajo pjesë të ndryshohet apo të largohet. “Fundja, vepra ka të bëjë me tolerancën”, kishte thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.