Lidhur me gjuajtjen drejt eskortës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent në konsulta të ngushta janë duke ndërmarr masa për identifikimin e dy personave në kryerjen e aksionit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për kp tha se dy personat janë të moshës së re, ata kanë kryer aksionin dhe kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Policia është duke i ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve të cilët kanë marrë pjesë në gjuajtjen e eskortës. Vendimet po merren në konsultim të ngushtë me prokurorin kompetent, dhe sipas udhëzimeve të prokurorit iniciohet sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Dy persona të moshës së re, kanë kryer aksionin dhe kanë ikur”, tha Hoxha.
Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje pranon se aktivistë të saj sot kanë hedhur ngjyrë në veturën e kryeministrit Isa Mustafa.