Opozita e bashkuar pas manifestimeve të mbajtura në disa prej qyteteve të Kosovës tani i janë kthyer kryeqytetit. Nesër ata do të mbajnë protestën gjithë popullore në Prishtinë, me kërkesë për anulimin e dy marrëveshjeve dhe llogaridhënie nga Qeveria për këto marrëveshje me Serbinë dhe Malin e Zi. Nëse qeveria nuk do të tërhiqet nga këto marrëveshje, atëherë ata kanë paralajmëruar se do të kërkojnë edhe dorëheqjen e përfaqësuesve të kësaj qeverie.
Zgjidhjen përmes dialogut në Kuvendin e Kosovës e sheh edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi ish-ministër i Punëve të Brendshme, i cili tha për KosovaPress se kjo situatë e ka rënduar dukshëm jetën politike, shoqërore e ekonomike.
“Nëse edhe protestat i japin një mesazh të mirë atëherë kjo do të ishte një ndihmesë e madhe, nëse protestat marrin kaheje tjera atëherë ajo është e padëshirueshme dhe normalisht që unë nuk pres ta bëjnë vetë liderët e opozitës, kështu që nuk është në frymën e jetës politike sepse askush nuk ka kreditë politik, as pozita, as opozita që me cilindo veprim të vetin politik ta dëmtoj, pra jo vetëm imazhin por thjeshtë ta destabilizoj apo ta thellojmë krizën politike e këtu duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe vendi ku është kjo është parlamenti “, tha Rexhepi.
Veprimet e opozitës Rexhepi i quajti qëndrime të skajshme. Ai tha se nuk mund të bëhet një zgjidhje politike pa kompromis, pasi që sipas tij askush dhe asnjë njeri nuk ka kredit politik që të mos marr pjesë në shtet ndërtimin dhe në mbrojtjen e vendit. Deputeti Rexhepi tha se mënyrat dhe veprimet e opozitës, janë të papranueshme dhe se ato janë forma jo demokratike.
“Ato janë qëndrime të opozitë, janë qëndrime të skajshme , për të gjet gjuhën e përbashkët atëherë nuk mund të shkohet me qëndrime të skajshme. Por duhen qëndrime të cilat realisht i përgjigjen rrethanave politike dhe japin zgjidhje të drejtë politike. Në këtë vend askush nuk ka kreditë politik, askush, as një njeri, as një deputet, as një subjekt politik që të mos merr pjesë në shtet ndërtimin e saj, ta mbroj atë edhe me manifest demokratik, edhe me protestë, edhe me protestë në parlament por jo me forma jo parlamentare, jo demokratike, sikur që na ka ndodh nuk bënë., nuk janë të pranueshme, janë forma jo demokratike , jo parlamentare. Unë e vlerësoj vetëm nga natyra politike. Kjo së pari nuk i jep imazh të mirë vetë opozitës, protestës për të cilën e bënë. Nuk është e mirë, nuk është e shëndetshme për jetën e brendshme parlamentare. E atëherë çfarë na duhet neve, nuk mundemi ne me qëndrime ekstreme të bëjmë zgjidhje”, tha ai.
Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, Rexhepi tha se nuk duhet me doemos të kërkohet dorëheqja e qeverisë, por që duhet të rishikohet ridizajnimi i dy marrëveshjeve dhe nëse verifikohen shkeljet atëherë edhe qeveria duhet të marr përgjegjësi, pse jo edhe me dorëheqje.
“A duhet me marr përgjegjësi qeveria për këtë punë nëse janë gabime të mëdha, unë mendoj që duhet me marr përgjegjësi. Pra nuk mund të kërkohet në këtë formë përgjegjësia, të kërkohet dorëheqja e qeverisë në këtë formë ose të bëhet për shembull në ndonjë formë tjetër, por ne duhet të jemi në parlament , t’ argumentojmë faktet, t’i sjellim para vetës dhe të shohim sa është gabimi i qeverisë. Nëse janë gabime të mëdha duhet të shkoj, pse të mos shkoj”, tha Rexhepi.