ARBËR ZAIMI
Demokracia përfaqësuese, si hipostazë juridike që rregullon pushtetet në shumicën e shteteve të botës, në tre shekuj jetë i njeh shumë raste të zgjedhjeve të parakohshme. Edhe në vendet perëndimore, të cilat mbahen si standard e kriter për “aplikimin e demokracisë”, zgjedhjet e parakohshme nuk janë fenomen i rrallë. Në fakt, mjafton një kërkim i thjeshtë në rrjet për të parë se sa shpesh kanë ndodhur të tilla.
Është po ashtu e lehtë të shihet se si në vendet e qeverisura prej autokratëve e në vendet e konsideruara të papërputhshme me standardet e demokracisë përfaqësuese, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë më të rralla. Madje, në vende të konsideruara diktatoriale, zgjedhje të parakohshme thuajse nuk ndodhin kurrë, me përjashtim të ndonjë momenti kur vetë diktatori kërkon të delegjitimojë ndonjë konkurrent potencial dhe të rikonfirmojë vetveten.
Në Kosovë, pas katër muajsh bllokimi institucional edhe protestash, subjektet opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Kjo kërkesë e opozitës u mbështet prej një numri të madh qytetarësh dhe ekziston bindja e përgjithshme se ka qenë protesta me pjesëmarrjen më masive që prej vitit 1989. Megjithatë, edhe pse pjesëmarrja ishte e konsiderueshme, prej koalicionit qeverisës vijnë sinjale kokëfortësie për të mos i shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Individët kryesorë të kësaj qeverie, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, thonë se situata është normale dhe nuk do të ketë zgjedhje deri sa të kryhet mandati i rregullt i qeverisë së tyre, pra deri në 2018. Dy kryetarët e PDK e LDK thonë se kanë shumicën në Kuvend, dhe do të vazhdojnë të qeverisin për sa kohë ta kenë këtë shumicë. Mirëpo, çfarë kushtesh do të duhej të përmbusheshin që të kishim zgjedhje të parakohshme në Kosovë? A është vallë Kosova në një situatë normale, siç pretendojnë Thaçi e Mustafa, pra a mund të vazhdojë mandati i qeverisë normalisht?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje mbi situatën specifike të Kosovës, fillimisht na duhet të shohim se cilat janë arsyet që në përgjithësi janë përdorur për të legjitimuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në vendet ku ato janë mbajtur. A është mospasja e shumicës parlamentare i vetmi rast kur zgjedhjet e parakohshme legjitimohen?
Nëse i sheh dhjetëra rastet e zgjedhjeve të parakohshme që janë mbajtur prej Britanisë e deri në Itali, prej Kanadasë e deri në Australi, mund të shohim se si në vija të trasha, zgjedhje të parakohshme janë mbajtur në këto raste:
-Skandalet qeveritare, të lidhura me abuzim të pushtetit, ndërhyrje në pushtetet e pavarura, mosrespektim i kuadrit ligjor apo Kushtetutës, korrupsion e përfshirje në afera të tjera. Kur këto afera kanë qenë kundërvajtëse, atëherë kanë sjellë dorëheqje kryeministrash, kryetarësh të parlamenteve, deputetësh e ministrash, të cilët janë zëvendësuar. E kur këto afera kanë qenë kriminale, atëherë autoritetet më të larta shtetërore (presidenti, apo monarku) kanë thirrur zgjedhje të parakohshme.
-Krizat e dështimet e mëdha ekonomike, apo mospërmbushja e premtimeve kryesore dhe e pritshmërive për rritje të mirëqenies, të cilat jo rrallë kanë shkaktuar lëvizje qytetare e politike, protesta e demonstrata, të cilat kanë rrëzuar qeveri e kanë shkaktuar zgjedhje të reja.
-Marrja e vendimit për çështje të mëdha, të cilat kanë pasur nevojë për konfirmim të ri elektoral. Këto çështje shpesh çojnë në referendume, megjithatë ka pasur raste kur nevoja për të marrë vendime të mëdha të natyrës gjithëkombëtare, me kosto apo mospëlqim të gjerë popullor, kanë shkaktuar zgjedhje. Këto vendime kanë qenë të natyrave të ndryshme, prej reformave e shtrëngesave ekonomike, te politikat e brendshme e reformat administrative, e deri te lidhja e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare.
-Kriza institucionale, apo momenti kur një qeveri krijon papajtueshmëri aq të madhe me një pjesë domethënëse të spektrit përfaqësues, sa që institucione kyç, të cilat parashikohen të funksionojnë me përfshirjen e opozitës, bllokohen. Të tilla institucione janë asambletë, borde të ndryshme përfaqësuese e parlamentet. Përjashtimi i opozitës dhe vendosja e diktatit të numrave përgjithësisht konsiderohet si një praktikë jodemokratike, dhe në vende që pretendojnë njëfarë standardi demokratik, në raste bllokimesh të tilla më së pari preferohen zgjedhjet, se sa vazhdimi me institucione pa opozitë.
-Rendi i brendshëm është i rrezikuar si pasojë e prishjes së kohezionit social dhe polarizimit të shoqërisë, fenomen që shoqëron sidomos shoqëritë e varfëruara, papunësia është e lartë, ku mungon aksesi në shërbime të ndryshme sociale, ku arsimi është i dobët, dhe ku mbizotërojnë struktura paramoderne politike, siç janë klanet e klientelat apo ku politika është e mbi-identitarizuar dhe e fraksionizuar në identitete lokaliste etj., të cilat e sfidojnë vazhdueshëm anonimitetin e qytetarit, si njësi themel e shtetit modern, hipostazë rregulluese e të cilit pretendohet se është demokracia përfaqësuese.
Sigurisht, këto janë vetëm një përmbledhje përgjithësuese e arsyeve që kanë shkaktuar zgjedhje të parakohshme në vende të ndryshme demokratike. Larmia e këtyre arsyeve gjithsesi është më e madhe, e përputhet me specificitetet sociale, ekonomike, politike e kulturore të atyre vendeve të ndryshme që mbushin etiketën e gjerë të “demokracisë përfaqësuese”.
Nëse për vendet në fjalë ka mjaftuar përmbushja e njërit prej këtyre kushteve që të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme, në Kosovë kemi rastin kureshtar kur edhe pse janë mbushur të gjitha këto kushte, kryeministri stagnant, Isa Mustafa, dhe zëvendësi i tij dinak, Hashim Thaçi, këmbëngulin se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Si mund ta interpretojmë këtë këmbëngulje të tyre?
Kjo këmbëngulje madje është edhe paradoksale, duke qenë se në njërën anë, dy zotërinjtë pretendojnë se udhëheqin partitë më të mëdha parlamentare, e po ashtu pretendojnë se opozita është zvogëluar si pasojë e aksioneve të saj protestuese në Kuvend e në sheshe. E nga ana tjetër, i rrinë larg zgjedhjeve si vampirët prej diellit.
Mos vallë dy “burrat e shtetit” duan të thonë se do të ndjekin praktikat e autokratëve dhe diktatorëve, dhe se do ta privojnë Kosovën nga një mjet i pranueshëm, madje i përdorshëm shpesh në demokracitë përfaqësuese, siç janë zgjedhjet e jashtëzakonshme? Apo mos vallë duan të thonë se, edhe pse kushtet e përmendura më sipër për zgjedhje të jashtëzakonshme janë përmbushur të gjitha, për ata këto nuk janë të mjaftueshme? Në këtë rast shtrohet pyetja, çfarë tjetër duhet të ndodhë – sipas Mustafës dhe Thaçit – në Kosovë, që të legjitimohen zgjedhjet e jashtëzakonshme? E vetmja gjë që ende nuk ka ndodhur, është shpërthimi i krizës në konflikt. Kush do ta dëshironte një gjë të tillë? Pse të mos përdoren zgjedhjet e jashtëzakonshme për të parandaluar një përfundim të tillë?
Çfarë duhet të ndodhë më shumë se sa shkelja 23 herë e Kushtetutës për të pasur zgjedhje të jashtëzakonshme? Qytetarët, me pjesëmarrjen e tyre masive në protestë, e treguan se duan largim të qeverisë, pse kjo këmbëngulje për të vazhduar?
Në secilin vend funksional, pas vendimit të kushtetueses e pas një proteste të tillë, duhej të ishin thirrur zgjedhjet. E nëse s’mjafton as shkelja e Kushtetutës, as peticioni prej 205.000 qytetarësh dhe as protesta masive paqësore, çfarë pra qenka ajo që do ta bënte qeverinë të pranonte zgjedhjet e jashtëzakonshme?
Mos janë vallë duke na thënë se pa konflikt nuk ka zgjedhje? Ç’është ky mentalitet, kjo dashuri kaq e madhe për postin e pushtetin?
Është e rëndësishme të ndodhë një thyerje në mentalitetin e pushtetarëve ballkanas. Të pranosh zgjedhje të jashtëzakonshme nuk ka pse të jetë diçka tragjike apo e vështirë për t’u pranuar.
Sidomos kur qeveria në fjalë, në një vit ekzistencë, ka prodhuar vetëm poshtërim përmes logjikës së nënshtrimit ndaj “të fortit”, frikë përmes pasigurisë (ekonomike, por edhe asaj të rendit e të mbrojtjes), papunësi përmes mosprodhimit, korrupsion përmes privatizimeve, pabarazi përmes varfërimit, injorancë përmes arsimit delenxhi publiko-privat, sëmundje përmes spitaleve të shkatërruara, e pasuri përmes vjedhjes. Nëse qeveritarët këmbëngulin në vazhdimin e rrugës së vjetër, atëherë edhe protestuesit do të jenë gjithnjë e më shumë këmbëngulës. Nuk mbetet rrugë tjetër.