Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia B1, e cila ka dalë jashtë funksionit mbrëmë, pritet të rikthehet në punë që nga dita e nesërme.
Sipas një njoftimi dërguar mediave, KEK thotë se sot në mëngjes, më 5 janar 2016, me qëllim të ndërmarrjes së disa intervenimeve të domosdoshme teknike, KEK ishte i detyruar të ndal njësinë B1 të Termocentralit “Kosova B”.
“Për këtë ndalje, konform praktikave standarde të veprimit që zbatohen në raste të tilla, në mënyrë që të mundësojë ndërmarrjen e hapave adekuat, KEK-u ka informuar
KEDS/KESCO-n, që ka përgjegjësi dhe menaxhon me import dhe eksport të energjisë, para se të ndalet njësia në fjalë që mbrëmë më 04 janar 2015. Me këtë rast, pritet që punët e parapara gjatë kësaj ndalese të kryhen me një dinamikë të shtuar dhe njësia B1 të kthehet në punë nesër”, njofton KEK-u.
Si pasojë e kësaj prishjeje në Termocentralin “Kosova B”, shumë qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike që nga orët e para të ditës së sotme. Madje në komunën e Podujevës është raportuar se ndërprerjet e energjisë elektrike kanë shkuar deri në 5 orë gjatë natës.
Gjendje hiç më e mirë nuk mbretëron as në komunën e Fushë Kosovës, ku raportohet se gjatë natës ka pasur ndërprerje të gjatë të energjisë elektrike, dhe e njëjta ka vazhduar edhe gjatë ditës.