Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës pritet që nesër të dalë me vendim për Asociacionin e Komunave Serbe. Burime të Gazetës Blic kanë theksuar se deri dje nuk ka pasur konsensus ndërmjet gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sa i përket përputhshmërisë së këtij Asociacioni me Kushtetutën e Kosovës.
“Sipas të gjitha gjasave nesër gjykata mund të dalë me vendim për Asociacionin e Komunave Serbe. Deri dje nuk ka pasur konsensus në mesin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Asociacionit ”, i ka thënë Gazetës Blic i afërt me këtë gjykatë.
Presidentja e vendit, para disa ditësh i është drejtuar instancës më të lartë të drejtësisë në vend, për të interpretuar marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksander Vucic për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe, e arritur në Bruksel në muajin gusht të këtij viti.
Arritja e kësaj marrëveshje nga partitë opozitare është cilësuar si shumë e dëmshme për vendin. Tri partitë në opozitë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kanë zgjedhur përdorimin e gazit lotsjellës si mjetin e vetëm për të parandaluar këtë marrëveshje të arritur me Serbinë dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi, që sipas tyre do ta dëmtojnë shumë vendin.
Ndaj këtyre veprimeve të partive opozitare, ka reaguar Prokuroria e Shtetit duke arrestuar hiq më pak se 13 deputetë, për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës.
Opozita ka paralajmëruar se nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta rrëzoj marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, atëherë edhe më shumë do të shtohet aktivitetet e saj në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje.