Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, e ka ngarkuar me një urdhërarrest nga Policia e Kosovës, për të cilin ajo thotë se ende personalisht nuk e ka parë. Nga 17 nëntori, Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim.
Nga ana tjetër ajo rrëfen se sa të shpeshta kanë qenë takimet e saj me policë, të cilët përveç buzëqeshjes dhe uratës për rrugë të mbarë asgjë më shumë nuk i kanë thënë. E arratisur ajo vazhdon të shfaqet në disa prej tubimeve të subjektit politik që i takon. Edhe pse është deputete në Kuvendin e Kosovës, besimi i saj në organet e drejtësisë është i barabartë me zero. “Nuk dorëzohem” është fjala që shpesh e përsëritë.
Kjo është deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu,e cila thotë se arratia i ka dhënë edhe më shumë forcë e vullnet për të kundërshtuar sistemin Mustafa-Thaçi.
Mbrëmë vonë pas një tubimi që pati në Ferizaj me aktivistë të VV-së, ajo dha një intervistë për KosovaPress.
KosovaPress: Është lëshuar një fletarrest për ju, e keni parë?
Albulena Haxhiu: Në fakt jo nuk e kam parë ende, pavarësisht faktit se kam dëgjuar nëpër medie të ndryshme se ka një fletarrest, mirëpo ende nuk e kam parë një të tillë. Pra, pavarësisht kësaj që është lëshuar një fletarrest për mua, unë kam vazhduar aktivitetin publik dhe politik, dhe natyrisht që nuk iu kam dorëzuar këtyre organeve të kapura nga regjimi i Mustafës për shkak se kam dashur më shumë t’ua vështirësoj përndjekjen e tyre politike karshi opozitës. Pra, ju e dini se nga 25 dhe 26 gushti nuk mund të themi se situata në Kosovë është normale për shkak se është tepër e jashtëzakonshme dhe gjatë gjithë kësaj kohe si opozitë e bashkuar kemi bërë përpjekje që t’i ndalim këto dy marrëveshje të dëmshme, që në fakt janë shtetrrënuese. Dhe, përveç aksioneve në terren, kemi bërë aksione edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe pasi regjimi i Isa Mustafës e pa që opozita nuk po zmbrapset vazhdoi ta përdor dhe instrumentalizojë sistemin e drejtësisë në mbrojtje të marrëveshjeve të dëmshme. Nuk kam fletëthirrje, por edhe sikur ta kisha nuk do t’i përgjigjesha, natyrisht që nuk do t’i përgjigjesha, për shkak se është ndikimi i Thaçit dhe Mustafës në sistemin e drejtësisë që përmes këtyre përndjekjeve politike ta ndal ose ta kërcënojë opozitën.
KosovaPress: Më bëtë konfuz, po thoni që nuk keni pranuar fletarrest, ndërkohë daljet tuaja publike i keni të kufizuara, shumë të tjerë nuk dinë ku jeni, dhe nuk ishit as në marshin e fundit të opozitës dhe as në seancat e Kuvendit. Atëherë, pse po fshiheni?
Albulena Haxhiu: Thashë edhe më parë se nuk e kam pa një fletarrest, megjithatë e kam vazhduar aktivitetin politik dhe publik. Arsyeja se përse nuk kam marrë pjesë në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe në manifestimin e opozitës, që ishte në fakt një manifestim madhështor ka qenë për shkaqe organizative, sepse kështu e kemi vendosur që të mos jem në atë manifestim. Mirëpo, pavarësisht që nuk kam qenë edhe në seancën plenare dhe në manifestim, unë e kam vazhduar aktivitetin nëpër qendrat e ndryshme duke mobilizuar qytetarët së bashku me aktivistët tjerë, deputetët dhe anëtarët e kryesisë, që t’i kundërshtojmë këto marrëveshje. Ka ndodh që kam hasur edhe në pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Disa nga ta janë bërë kinse nuk më kanë parë, për shkak ndoshta se nuk kanë dashur të flasin te pushteti, mirëpo ka pasur edhe pjesëtarë të Policisë që më kanë përshëndetur, por unë e kam vazhduar aktivitetin tim politik. Nuk është e vërtetë, asnjëri nga deputetët e opozitës nuk është fshehur. Ju e dini se padrejtësisht aktualisht po mbahet në paraburgim deputetja Donika Kadaj-Bujupi, deputeti Albin Kurti, dhe në arrest shtëpiak Haxhi Shala, Ismajl Kurteshi dhe Fisnik Ismaili. Të gjitha këto institucione që në letër janë të pavarura janë vënë në shërbim të interesave të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit vetëm që t’i mbajnë të gjalla këto marrëveshje që po e rrënojnë shtetin e Kosovës dhe që janë tepër të dëmshme edhe për Republikën edhe për interesat e qytetarëve. Ne do të vazhdojmë kësisoj derisa t’i zhbëjmë këto marrëveshje. Do të vazhdojmë me protesta në qytetet e Kosovës deri në protestën gjithë-popullore që do të mbahet në Prishtinë. Keni parasysh që janë me qindra raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve që janë sot në udhëheqje të vendit, po ashtu edhe të familjarëve të tyre. Kemi strukturat kriminale në veri dhe pushteti po i tregon dhëmbët me opozitën duke tentuar t’i arrestojë të gjithë deputetët e opozitës vetëm sa për ta ndalur kundërshtimin karshi këtyre marrëveshjeve të dëmshme. E keni parë edhe përndjekjen dhe mënyrën e arrestimit të deputetit Albin Kurit, pra njësoj sikur metodat putiniane dhe ato të regjimit të Millosheviqit. Regjimi i Isa Mustafës bastisi zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, theu zyrat, përgjaku aktivistë dhe ish të burgosur politik vetëm sa për ta zmbraps opozitën.
KosovaPress: Zonja Haxhiu, a po iu lodhë kjo mënyra e të jetuarit në arrest, dhe do ta ndërlidhja këtë me çështjen e ligjvënies pasi gjithmonë thirreni në kërkesën për një shtet ku duhet të funksionojë ligji. Ju vetë nuk po e respektoni, e keni menduar ndonjëherë një paraqitje vullnetare në organet e drejtësisë?
Albulena Haxhiu: Pavarësisht se unë e kam vazhduar aktivitetin tim politik, ky aktivitet ka qenë jo sikur herëve të tjera, për shkak se kam dashur t’ua vështirësojë përndjekjen politike. Fletarrestet për deputetët e opozitës kanë ndodhur pikërisht në seancën ilegale të 17 nëntorit, që dukej si një konferencë për media e Mustafës e Thaçit, ku përmes asaj seance ilegale ata i bënë thirrje organeve të drejtësisë që t’i kapin deputetët e opozitës. Menjëherë në mbrëmje doli lajmi se Gjykata ka lëshuar fletarreste për katër deputetët e opozitës. Ju e dini se ne kemi ushtruar dy kallëzime penale, kundër deputetit Armend Zemaj i cili gjuajti me gotë qelqi në drejtim të deputetëve të opozitës, pastaj kallëzim penal ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët kidnapuan deputetin Albin Kurti, dhe deri më tani këto organe të ndjekjes që po tentojnë që përmes formave të ndryshme ta zmbrapsin opozitën nuk e kanë ndërmarrë as edhe një veprim të vetëm për këta njerëz. Mirëpo, ju e dini se polici hetues në përndjekjen e opozitës është bashkëshorti i deputetes së PDK-së, Sevdije Halimi. Më pas, prokurorja që e ka rastin e katër deputetëve të opozitës është motra e një ish-deputeteje të LDK-së. Pastaj, kryetari i kolegjit të Gjykatës së Apelit është shumë i afërt me LDK-në. Të gjitha këto fakte dëshmojnë se ky proces është proces i përndjekjeve politike dhe përmes Prokurorisë po tentojnë që ta zmbrapsin opozitën. Në vend që sot të jenë në burg ata që zhvatin qytetarët e Republikës së Kosovës përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku është edhe Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, për shkak se nëse ia bëjmë një krahasim të pasurive që i kanë e shohim se brenda një periudhe shumë të shkurtër janë pasuruar dhe nuk e kanë justifikuar pasurinë e tyre.
KosovaPress: Me këtë që thoni, ju lëni të nënkuptohet se do të ketë kërkesa shtesë nga opozita, si rrëzimi i Qeverisë dhe zëvendësimi i njerëzve që mbajnë pozita udhëheqëse në organet e drejtësisë kosovare?
Albulena Haxhiu: Qasja e pushtetit karshi situatës aktuale që është tepër e tensionuar ka qenë tërësisht e padrejtë. Qeveria e Isa Mustafës tentonte që edhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve të shtirej se gjithçka është normale dhe edhe pas këtyre marrëveshjeve Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të vazhdojë siç ka qenë deri atëherë. Mirëpo ne kemi kundërshtuar në vazhdimësi, kemi tentuar fillimisht me hedhjen e vezëve në drejtim të kryeministrit Mustafa, pastaj me forma të ndryshme simbolike për të përfunduar me gazin lotsjellës. Por, mos harroni që ne kemi organizuar edhe peticion, që është më i madhi prej pasluftës. Pra, janë 200 mijë të Republikës së Kosovës që për një kohë tepër të shkurtër i kanë kundërshtuar këto dy marrëveshje dhe më pas kemi kërkuar që këto marrëveshje të vlerësohen me referendum, mirëpo Isa Mustafa ka refuzuar që t’i vendos në referendum. Në qoftë se Isa Mustafa e lidh fatin e tij më këto marrëveshje atëherë është tepër e rëndësishme që ta rrëzojmë Qeverinë e Mustafës. E dimë se Qeveria e Isa Mustafës nuk e ka ndërmarrë as edhe një veprim të vetëm në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. E dimë shumë mirë se kjo Qeveri është formuar për ta themeluar Gjykatën Speciale. Kjo Gjykatë përveç se njollos përpjekjen çlirimtare ose luftën e popullit tonë, e ka krijuar edhe një sistem paralel në drejtësi. Përveç që e bëri Gjykatën Speciale, tani na solli edhe dy marrëveshje të tjera që është kjo për ‘Zajednicën’ dhe ajo e demarkacionit me Malin e Zi. Pra, Isa Mustafën e mbajmë mend për tri marrëveshje të dëmshme, dhe natyrish një Qeverie që shpërfill interesat e qytetarëve të Kosovës duhet të rrëzohet. Aktualisht ne e kemi prioritet që t’i zhbëjmë këto marrëveshje. Ky është prioriteti ynë, dhe në qoftë se Isa Mustafa në asnjë mënyrë nuk do t’i heq, unë jam e bindur se këto marrëveshje do të zhbëhen ose pas protestave gjithë popullore që po planifikojmë t’i mbajmë në Prishtinë ose do të rrëzohet Qeveria. Jam e bindur se njëra do të ndodh.
KosovaPress: Zonja Haxhiu për të qenë të drejtpërdrejtë dhe me opinionin në përgjithësi, ju po thoni që Qeveria do duhej rrëzuar edhe nëse hiqen nënshkrimet nga këto dy marrëveshje?
Albulena Haxhiu: Aktualisht ne e kemi prioritet që t’i zhbëjmë këto marrëveshje. Ky është prioriteti ynë, dhe në qoftë se Isa Mustafa në asnjë mënyrë nuk do t’i heq, unë jam e bindur se këto marrëveshje do të zhbëhen ose pas protestave gjithë popullore që po planifikojmë t’i mbajmë në Prishtinë ose do të rrëzohet Qeveria. Jam e bindur se njëra do të ndodh. Unë shpresoj që të tërhiqen marrëveshjet pastaj të vazhdojmë betejat tona politike siç i kemi pasur deri para 25 gushtit, mirëpo prioritet për neve aktualisht është tërheqja e këtyre marrëveshjeve. Jemi të bindur se jemi shumë afër kësaj çështjeje dhe natyrisht që do ë këmbëngulim deri në fund, deri në zhbërjen e tyre, sepse natyrisht në qoftë se jetësohen marrëveshja për ‘Zajednicën’ dhe ajo për demarkacionin, ndoshta edhe gjeneratat e ardhshme do të kenë mundësi që ta zhbëjnë, por asnjëherë duke përdorur mjetet demokratike, përveçse me luftë. Zajednica nuk hiqet ndryshe përveçse me luftë. Dhe luftën si do ta bëjmë përderisa Lista ‘Srpska’ na bllokon për ta formuar ushtrinë. /KosovaPress/