Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi dhe nënkrytari i këtij subjekti Kadri Veseli, kanë qëndruar sonte në Gjakovë, me ç’rast kanë zhvilluar takime me strukturat e degës së PDK-së në këtë komunë.
Krahas bisedimeve për aktivitetin e degës së Gjakovës dhe pushtetit lokal, në të cilin PDK-ja bashkëqeverisë me AKR-në e LDK-në, Thaçi e Veseli kanë folur edhe për situatën aktuale në vend, ndërsa nuk kanë hezituar të hedhin akuza të drejtëpërdrejta tek partitë opozitare, për, siç kanë thënë ata, luftë të hapur për pushtet, raporton zeri.info.Duke folur para anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së në Gjakovë, zëvendëskryeministri aktual Hashim Thaçi ka thënë se, të gjithë këta opozitarë që sot po thirren në kauza kombëtare, asnjëherë që nga paslufta nuk i kanë bërë asnjë të mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“I pyes këta që tash bëjnë zhurmë për qështje që nuk janë kauza por thjeshtë interesa elektorale partiake, të na tregojnë se a e kanë marrë ndonjë herë një vendim në të mirë të qytetarëve. A e kanë marrë ndonjëherë ndonjë vendim për pagat e mësimdhënësve, punëtorëve shëndetsorë, për veteranët e indavilëd e luftës, pos që kanë punuar në fryerjen e numrit të tyre, për familjet e dëshmorëve, për pensionistët, për studentët. Unë nuk ju mohoj sakrificën e mëhershme të askujt, por të sakrifikuarit për vendin nuk të justifikon me e shaktërru sot shtetin”, ka thënë Thaçi, raporton “Zëri”.
Ai ka qenë mjaft i ashpër me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, duke e vazhduar për të deklaratën e dhënë menjëherë pas takimit tek presidentja Atifete Jahkaga.
“Asociacionin e ka votuar edhe AAK-ja që ka qenë bashkë me mua në Bruksel. E sot po u del kauzë nacionale. Siç e dini, ne sot kemi pasur takim në zyrën e presidentes. Të jeni të bindur se njerëzit e opozitës që kanë qenë brenda, dhe s’ka pasur shumë të opozitës, as që e kanë hapur gojën për demarkacion dhe asocicacon. Ai ka folur vetëm për agjendë elektorale … Juve faleminderit për duartrokitje, por kjo nuk është për duartokitje. Kjo është për shqetësim sepse ai po manipulon me njerëzit dhe po ju thotë që po ja falin Malit të Zi herë 2 mijë hektarë, herë 4 mijë hektarë. Asnjëherë nuk po i bjen në një vend. Ne kemi pasur obligime që ta përmbyllim këtë proces, por e them me përgjegjësi të plotë se në çdo hap do të respektohet kushtetuta dhe republika e Kosovës. Po ju them me përgjegjësi të plotë se nuk do të humbë asnjë centimetër tokë e Kosovës. Ne ju besojmë institucioneve tona, ju besojmë hartave të NATO-s e jo atlasave të ekspertëve të Rusisë”, ka shtuar Thaçi, raporton zeri.info.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Kadri Veseli, duke i ftuar partitë opozitare që të refklektojnë pozitivisht duke bashkëpunuar për integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik të vendit, ka thënë se zhvillimet e fundit nuk janë aspak dinjitoze dhe si të tilla po e dëmtojnë keq Kosovën.
Ai ia ka akuzuar partitë opozitare për luftë të hapur për pushtet, veprim që, sipas tij, nuk është bërë kurrë nga PDK-ja dhe kryetari i saj Hashim Thaçi, përgjatë tërë kohës sa kanë qenë në opozitë.
“Kjo opozita që tash nuk po duron të rrijë pa pushtet, duhet ta dij se ky njeri 8 vjet ka qenë pa pushtet. Asnjëherë nuk ka bërtitur. Askend nuk e ka qitur në rrugë e askënd nuk e ka nxitur t’i marrë armët e të luftojë për pushtet. A keni dëgjuar ndonjëhere prej këtij njejriu që e ka ftuar dikënd të dalë e të luftojë për pushtet. Jo! 8 vjet ka pritur dhe me vullnetin e qytetarëve të Kosovës është bërë kryeministër”, ka thënë Veseli, duke aluduar në kreun e PDK-së Hashim Thaçi.
Veseli ka folur edhe për zgjedhjen e presidnetit të Kosovës, duke u shprehur i bindur se do të jetë piëkrisht Hashim Thaçi ai që do të zgjidhet në këtë post, duke bërë kështu që pas zgjedhjes së tij Kosova të marrë hov më të shpejtë drejtë zhvillimit dhe integrimit. /ZËRI/