Presidenti serb, Tomislav Nikoliq ka thënë se Serbia dëshiron të shkojë në BE, por nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Nikoliq e ka thënë këtë para një delegacioni të gazetarëve nga Gjermania, duke e hedhur topin nga BE-ja, dhe duke theksuar se “ky është qëndrimi ynë tërësisht në kundërshtim me BE-në, në rrugën për t’u bërë anëtare e saj”, transmeton Indeksonline.
Nikoliq ka thënë se nësë insistohet në njohjen e pavarësisë e Kosovës nga Serbia si mënyrë e vetme për të hapur Kapitullin 35, ai është i bindur se kjo mund të çoj në luftë civile në Serbi.
Duke iu referuar fatit të Federatës Jugosllave dhe ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq, Nikoliq rikujtoi se qytetarët serbë ishin të lumtur me ndaljen e bombardimeve, por se kjo gjë u dënua pas zgjedhjeve, pasi sipas tij ai e kishte dorëzuar Kosovën.
“Kjo lidhje e serbëve me Kosovën është e fuqishme”, ka thënë Nikoliq për gazetarët gjermanë.
Në intervistën një-orëshe me gazetarët gjermanë, Nikoliq ka thënë se “ne jemi shumë afër që me Evropën të hapim tërësisht kufijtë”, dhe se nuk e kupton se përse dikush në Bruksel ka humbur durimin.
Nikoliq e ka ripërsëritur se Serbia nuk heq dorë nga ideja se Serbia është anëtare e BE-së, dhe se, derisa kjo gjë është e mundur, nuk do të heq dorë nga bisedimet me Prishtinën në Bruksel.