Ndryshe nga fundviti i kaluar kur Komuna e Prishtinës u vonua ta dekorojë kryeqytetin për festat e fundvitit, këtë vit Komuna është treguar më e kujdesshme dhe në kryeqytet vërehen punimet e para për të vendosur dritat ndriquese në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku pritet të vendosen edhe 20 shtëpizat në kuadër të projektit për tregun e fundvitit.
Nëpër sheshet dhe rrugët kryesore të Prishtinës kanë filluar të vendosen drita ndriquese dhe dekorime të ndryshme që i japin kryeqytetit frymë festive.
Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, tha se të premten pritet të bëhet edhe përzgjedhja e përfituesve të shtëpizave ku do të ekspozohen produkte të caktuara të prodhuesve vendorë. Këto shtëpiza, sipas saj, do të qëndrojnë në shesh deri më 8 janar.
Redaksia mëson se për këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, Komuna do të ndajë më shumë mjete për dekorimin e kryeqytetit.