Lajmet e fundit
Nisin bisedat konfidenciale për koalicione

Nisin bisedat konfidenciale për koalicione

Marketingu i dobët partiak në zgjedhjet lokale kanë rënë nga provimi sidomos partitë e mëdha. Këto janë vërtetuar nga rezultatet e zgjedhjeve. Më shumë se gjysma e komunave të Kosovës apo në gjuhën e shifrave gjithsejtë 24 sosh janë në balotazh.

Tashmë pas qartësimit të rezultateve partitë kanë nisur matematikën politike. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike do të ballafaqohen në tetë prej tyre në Gjilan, Prizren, Dragash, Lipjan, Ferizaj, Viti, Klinë dhe Kamenicë. Raund të dytë do të ketë edhe Vushtrria, Rahoveci dhe Suhareka në të cilat do të garojnë kandidatët e Partisë Demokratike të LDK-së dhe të AAK-së. Partia që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj do të shkojë në balotazh në 7 komuna, madje edhe në ato qendra që deri më tani janë konsideruar bastione të këtij subjekti politik. Kandidati i AAK-së së Ramush Haradinaj do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve me kandidaten e AKR-së Mimoza Kusari Lila dhe në Gjakovë. Mitrovica (jugu) çon në balotazh PDK-në me AKR-në.

Komuna e Junikut, Obiliqit dhe Pejës do të ballafaqojë kandidatët e LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Iniciativa Qytetare për Malishevën e ndarë nga PDK-ja pak para zgjedhjeve, po kështu është në balotazh me LDK- në.

Ahmeti në Prishtinë pret votat e humbësve

Për sa i takon Prishtinës do të zhvillohet një betejë ndërmjet kandidatit Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti për 19.450 vota të shtatë kandidatëve tjera që kanë humbur zgjedhjet. Numrin më të madh e ka pasur PDK me 8.479 vota. Por që Shpendi tha se nuk do të hyjë në koalicion me PDK duke mos e parë të nevojshme por që llogarit në votat e të gjithë qytetarëve që janë deklaruar për një alternative tjetër nga ai i kryetarit aktual Mustafa. Ndryshe nga VV, partitë tjera që janë në balotazh nëpër komuna tjera janë në një pozitë më të favorshme për ti hyrë pazareve të cilat do të kenë një kosto politike.

Berisha i pa pozicionuar për koalicion

Në balotazh është edhe komuna e Prizrenit e cila ka dy kandidatë Ramadan Muja nga PDK dhe Eqrem Kryeziu nga LDK. Bashkimin Demokratik i Zafir Berishës në këto zgjedhje është votuar mbi 8.000 vota që mund të përcaktojnë fituesin në raundin e ardhshëm të zgjedhjeve. Kryetari i BD-së, Berisha pranon se ka pasur kërkesë nga PDK-ja që të bisedojnë për të hyrë në koalicion për balotazh. “Kam pasur kërkesë nga zyrtarët e PDK-së në Prishtinë, që të bisedojmë për koalicion“, tha Berisha. Kryetari i BD-së, Zafir Berisha tha ndërkaq se nuk do të merr vendim për koalicion pa u shqyrtuar ankesat që BD-ja i ka bërë për 20 kuti të votave. Zëdhënësi i PDK-së në Prizren Samir Hoxha tha ndërkaq, se ende nuk kanë filluar të bisedojnë për koalicion me asnjë subjekt politik.“PDK-ja nuk do të merr asnjë veprim pa u certifikuar rezultatet”, tha Hoxha.

 

Në Gjakovë votat e PDK, LDK dhe VV caktojnë fituesi

Ndërkaq në Gjakovë një beteje do të zhvillohet ndërmjet Mimoza Kusarit nga AKR dhe Pal Lekaj nga AAK. I pari i AKR-së, ka thënë se do të angazhohen që të fitojnë zgjedhjet në dy komunat ku është në balotazh, duke bashkëpunuar me forcat e së mirës.

“Siç dihet AKR në emër të shtet formimit, kurrë nuk ka vendosur vija të kuqe për askënd. Por AKR do të fitojë mbi te gjitha falë forcimit të aleancës me qytetarët dhe nënshkrimit të një kontrate të re me ta, për qeverisje të ndershme, për punësim, për zhvillim ekonomik që janë në themel të patriotizmit modern”, ka thënë ai. Ende mbetet e paqartë nëse partneri i koalicionit PDK do ti ndihmojë në Gjakovë, duke qenë që dy subjektet janë në balotazh në Mitrovicë. Situatën e bënë më të komplikuar edhe fakti që PDK dhe AAK janë në balotazh në disa komuna. Sekretari i LDK Ismet Beqiri ka thënë se letrat ende janë të nxehta dhe së pari janë në pritje të rezultateve zyrtare. Ndërkaq Ardian Gjini ka thënë për standardfi.info se do të ketë një luftë të ashpër pasi të gjithë do të jenë kundër të gjithëve duke marrë parasysh se në shumë komuna partitë janë në balotazh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.