Mikel Qupi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për tentim vrasjen e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila.
Ai dyshohet se kishte angazhuar shtetasin nga Shqipëria, Gramoz Nokshiqi, për ta kryer këtë vrasje, për të cilën do të paguante 300 mijë euro, si dhe 30 mijë euro për vrasjen e një pjesëtari të familjes Radi.
Nokshiqi do të jetë dëshmitar bashkëpunues, pas ngritjes së aktakuzës, e cila do të bëhet publike në fillim të javës së ardhshme, ka marrë vesh “Koha Ditore”.
Përpilimi i aktakuzës, sipas burimeve të “Kohës Ditore”, ka përfunduar këtë javë dhe ky dokument pritet të dorëzohet të hënën në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Qupi, i cili akuzohet si porositës i këtyre vrasjeve, është arrestuar më 8 tetor të këtij viti. Ai është banor i fshatit Bishtazhin të Gjakovës, si dhe drejtues i bashkësisë lokale në këtë fshat.