Lajmet e fundit

Një kartolinë për Prishtinën, nga Tirana

Nga Isuf Kurtaj

Prishtinë, pse (nuk) të mora “inat”? Mos vallë për shkak të të ëmblave zënka mëngjeseve te kafe “Z”, ku kuvendonim pa radhë për studentet me zë të trashë, por plot sharm, të Prishtinës që “nuk na e varnin”, për “dehjet” e netëve të ftohta të dimrit te “Maron”-i për praninë e vajzave shalëgjata dhe sytë kokërdhok të zyrtarëve që i ndiqnin teksa thithnin duhan si të babëzitur.

Prishtinë, (nuk) të mora “inat” edhe kur më shijonin debatet me (pa) takt mesditave te rrugica e “kino abc”-së rreth filmit që (nuk) e kishim parë të gjithë, shfaqjes së teatrit që (nuk) e kishim ndjekur, qurravitjeve rreth librit të (pa) lexuar, artistit prishtinali që nuk përton të shfaqë prirje kundër muzikës së vendit e që, për hir të të vërtetës, aq shumë e ngre përpjetë në ditë të gëzueshme.

As kur rrokullisnim bisedën si pa e kuptuar nga pica te shpresa që na jepte protesta e rradhës e VV-së për të rrëzuar hegjemoninë e Thaçit, as kur në tavolinë ndonjë zyrtar i stërzhytur në afera na mbante leksione se si duhet bërë opozitarizmi dhe sa herë që kryqëzohej e zhvendoste bisedën te rokada e pushtetit në Tiranë që po rrëshqiste nga dora e Berishës në atë të Ramës. Dhe pas kundërthënieve të pafundme dhe mërzitjeve të çastit, e nesërmja na gjente sërish në të njëjtin vend për të vijuar grindjet rreth virgjërisë, kurvërisë dhe ndershmërisë, rreth ç’mitizimit të Skënderbeut si hero kombëtar dhe kalërimit të tij si shpëtimtar i Perëndimit, heqjes së damkës së Hamzait nga tradhtar në strateg.

Prishtinë, (nuk) të mora “inat” as kur ndonjë çunak i Prishtinës e quante Adem Jasharin “rebel” e Rugovën pijedashës, PDK-në enveriste e LDK-në titiste, Canën patriot e Shaqirin të shitur. As kur bënim bilancin e parave që Xhavit Haliti (deputet i PDK-së) ka vjedhur nga “Vendlindja Thërret”, ndërsa Bujar Bukoshi nga “Tre përqindëshi”. As për eliminimet enigmatike të kundërshtarëve që gjatë dhe pas luftës bëri SHIK-u. As kur armiqtë e përbetuar sot janë bërë bashkë për të flakur Kosovën.

Prishtinë, pse (nuk) të mora “inat” dhe kur dështuam në biznes, ku ngritëm me (pak) lekë një media dhe e mbyllëm siç e hapëm dhe kurrë nuk përtuam ta parodizojmë. Dhe kur merrja ndonjë lajm përmes telefonit se Glauku dy vjeç në Tiranë është bërë kodosh dhe nuk lë zarar pa bërë, dhe unë nuk po jepja dot kontributin që i takon prindit.

Prishtinë (nuk) të mora “inat” as në ditën kur në sheshin “Nënë Tereza” në një nga protestat më ditëzeza të 2007-ës, mbeten të vrarë dy dhe u plagosën me dhjetëra. As kur mes gazit lotsjellës dhe plumbave të skaduar të policëve rumunë të EULEX-it mezi shkëputa nga turma e dërrmuar nga kërbaçi dy shokët e mi të klasës, Menonin dhe Rremën, që veç qepëve në sy dhe plumbit në këmbën e Menonit, nuk kishin gjë tjetër. As kur Menonit të shtrirë në bordurën e sheshit mezi i mbushja mendjen duke e tërhequr zvarrë ta dërgonim në urgjencë për t’i dhënë mjekimin, e ndërsa Rrema vijonte të qëndronte stoik në shesh para trupave rumunë që shtinin drejt tij dhe djemve të tjerë të gjakosur, ku dy prej tyre humbën jetën. 8 vite më pas, rrugët e Prishtinës përgjaken sërish.

Studentët që dikur vriteshin nga rumunët pse kundërshtonin negociatat me Serbinë dhe pakon e Ahtisaarit, sot janë prapë protagonistë, duke kundërshtuar konçesionet që Thaçi e Mustafa vijojnë të bëjnë në kurriz të shtetit të Kosovës. Njësoj si para 8 vitesh edhe sot rrihen, burgosen, gjakosen. Dallimi i vetëm është se dhuna sot ushtohet nga Policia e Kosovës që drejtohet nga pushteti. Njësoj si para 8 vitesh janë të vendosur për të mos lënë të kalojë marrëveshja, pavarësisht kostove. Prishtinë sot nuk kam se si të të kem inat kur shoh se numri i djemve dhe vajzave nga ajo kohë është shtuar, dhe sikur – dikur, dhe sot, nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Si dikur, edhe sot, të gjithë, përgjithnjë ato i thonë: Po “Vetëvendosjes”, Jo “Zajednicës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.