Lajmet e fundit
Një kërcënim që duhet marrë më seriozisht, sidomos nga Ministri i Brendshëm

Një kërcënim që duhet marrë më seriozisht, sidomos nga Ministri i Brendshëm

Ardian Gjini

Kërcënimi ndaj Kryetares së Komunës së Gjakovës i ka disa dimensione.

E para e punës, në vendin tonë tanimë duket punë shumë e lehtë të organizohet eliminimi fizik i një personi. Vrasësit me pagesë ekzistojnë, njerëzit e çmendur që janë të gatshëm të paguajnë ekzistojnë dhe sistemi i sigurisë ka ende të meta serioze. Fakti se një numër i madh i vrasjeve të pasluftës vazhdojnë të mbesin krime të pa shpjeguara, mjafton për ta ndërtuar argumentin.

E dyta, por edhe më me rëndësi se e para, një nënë, një bashkëshorte, një bijë prindërish, një grua, kërcënohet me jetë. Tepër e dhimbshme dhe irrituese. Diçka që nuk përkon fare me njerëzoren dhe që shkon përtej planifikimit të krimit. Primitivët që kanë menduar se kanuni është mbrojtje prej këtyre rasteve iu mbetet të mësojnë. Kanuni nuk është as zgjidhje e as mbrojtje kundër krimit të organizuar modern.  Policia, prokuroria, gjyqet dhe shteti ligjorë janë.

Dhe e treta, që në aspektin e zhvillimit afatgjatë të vendit është më e rëndësishmja, një Kryetare e Komunës kërcënohet me jetë. Kushdo që e kërkon arsyen apo motivet për organizimin e një krimi të mundshëm të këtij lloji është në rastin më të butë cinik. Nuk ekziston asnjë arsye racionale për të organizuar vrasjen e dikujt. Ndërsa kur kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë, të zgjedhur nga populli, përmasat e një veprimi të tillë të mundshëm bëhen të pa imagjinueshme. Në këtë aspekt është fare irrelevante se a është grua apo burrë, përfaqësuesja apo përfaqësuesi i popullit. Nëse zyrtari i zgjedhur kërcënohet me jetë për vendimet që i merr në emër të zgjedhësve atëherë janë kërcënuar edhe zgjedhësit. Është kërcënuar demokracia.

Duke pasur të paktën njohuri modeste për procedurat hetimore policore por edhe për ndërlidhjen e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës me të parën, më duhet të konstatoj se sistemi ka çaluar. Vet kryetarja jep indikacione se ka informacione serioze dhe të vlefshme për ta zbardhur rastin, mediat dhe publiku shfaqin interesim të shtuar dhe personi kryesorë me thirrje zyrtare për të komentuar nuk flet fare. Ministri i Brendshëm.

Ministri i Brendshëm duhet të sqarojë, pse edhe pas dy muaj e më shumë të marrjes së informacionit askush nuk është arrestuar. Ai duhet të sqarojë a kemi të bëjmë me denoncim apo me informacion të inteligjencës. Ai duhet të deklarojë publikisht se është përgjegjës për këtë çështje.

Moszbardhja e këtij rasti deri në fund mund të krijojë ndjenja të këqija në mes njerëzve dhe do ta dëmtojë seriozisht edhe qeverisjen edhe demokracinë.  Institucionet demokratike nuk mund të funksionojnë pa sundim të ligjit, pa drejtësi dhe pa siguri.

(Autori është kryetar i Degës së AAK-së në Gjakovë)

Leave a Reply

Your email address will not be published.