Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, së bashku me Shaban Kajtazin, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, takoi sot në Mitrovicë pensionistët e këtij regjioni ka njoftuar përmes një komunikate Zyra për informim e MPMS-së.
Në komunikatë thuhet se ministri, Abrashi i njoftoi ata lidhur me implementimin e Ligjit për pagesat sipas kategorizimeve të pensioneve kontributdhënëse, si dhe hapat që do të ndërmerren gjatë vitit të ardhshëm për reformën pensionale, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien sociale të pensionistëve.
Abrashi ka thënë se MPMS është duke vepruar konform premtimeve të dhëna, të cilat veç kanë filluar të jetësohen dhe të japin efektet pozitive.
Ai u zotua se MPMS do të përkujdeset në vazhdimësi për pensionistët, gjithnjë brenda mundësive buxhetore.