Lajmet e fundit

Një papë serb vizitoi Shqipërinë

Nga Alfred Lela

Një burrë, shoqëruar me dy të tjerë dhe një vajzë bionde, jepte e merrte me policët që kishin rrethuar stadiumin e Elbasanit. Kishte qëllimin e shumicës, të kalonte kordonët policorë, por edhe një shenjë më shumë se të tjerët, (të paktën sipas tij), ishte i ati i futbollistit të Kombëtares, Arlind Ajeti.

Shfrynte dhe s’di kujt i kujtonte se si këta të Federatës i kërkonin edhe djalin e dytë për Kombëtare ndërkohë që e linin pas porte. ‘Në Zvicër më presin me temena’, thoshte sikur fliste me vete.

Nuk ishte i pakënaquri i vetëm pardje në Elbasan. Për një ndeshje që fillonte në 20:45, duhej të niseshe nga Tirana para orës 12 të mesditës. Për një copë rrugë që kap diku te 15-20 minutat dhe një futje në stadium, që nuk duhet të zgjasë më shumë se aq. Një shqiptar i ardhur nga Amerika për ndeshjen ankohej se iu deshën 9 orë për udhëtimin me avion dhe 12 për t’u futur në stadium.

E gjitha kjo, vetëm që Drejtori i Përgjithshëm i bluve të deklaronte dje “Policia e fitoi ndeshjen e saj”?

Ndoshta një shtetrrethim është pak si shumë për një deklaratë vetëkënaqësie. Ndeshjen që Shqipëria duhej ta fitonte, atë në fushën e lojës e humbi, por fitorja e ‘qytetarisë’ dhe ‘policisë’ ndoshta mjaftojnë.

Kjo, jo për të thënë se qytetaria dhe policia penguan skuadrën kombëtare dhe i parashkruan një fat të keq. Sa për të vënë në pah se ‘tortura’ e së enjtes ishte e trefishtë: shi me rrëke, polici gjer në palcë dhe humbje në fushë.

Kjo e fundit mund të shpjegohet megjithatë edhe me atë që ndodhi jashtë fushe. Sepse, duhet thënë, një pjesë e mirë e lojës pa top u pa në zonat e rreptësisë politiko-mediatike. Ardhja e kombëtares serbe i ngjante vizitës së Papës së kthyer përmbys. Në të dy rastet shqiptarëve iu desh të tregonin, me njëfarë pahiri ndoshta, se sa europianë dhe tolerantë ishin. Mizanskenat e parandeshjes me Serbinë ishin të llojit të teatrit ioneskian: vjen a s’vjen Vuçiç? Ballist Morina, a donte t’i bënte atentat? Dikush paskërka dashur të vrasë Mimoza Kusari-Lilën? Vuçiç vjen nëse nuk është Thaçi? Si the? Kush? Karaxhiç? Radovani i tmerrshëm i luftës? Jo mër vlla, jo: shefi i Federatës serbe…Etj.,…Etj.

Kryeministri Rama shihte dhe dirigjonte gjithçka nga regjia qendrore: hiqte një fjalë, shtonte një ton, fuste një grimasë, anulonte një gjest, shkërbente një ide. Ai e vrojtonte skenën gati-për-të- ndodhur nga lartësitë e paepura të atij që në Ballkan bën luftën dhe paqen; të dyja bashkë vetëm me mjetet e pakta të një ndeshjeje futbolli.

Nuk janë të paktë që supeve të tij duan t’u shtojnë edhe spaletat vezullimtare të këtij faji: shkaktar i humbjes së Kombëtares. Teprinë e kësaj akuze e shpjegojnë vetëm emocionet. Ato që trajneri italian De Biazi gjente si shkaktare të humbjes me skuadrën serbe. Instinkt në vend të trurit, për të përdorur fjalët e njeriut që e nxori Shqipërinë nga Lufta e Ftohtë e pozicionit të parafundit në grupe, duke e ngjitur në majën lëbyrëse të një vendi në Finalet e Europianit, ose në rastin më të keq, një turi play off për atje.

Më mirë se kaq nuk kemi qenë kurrë, e megjithatë sërish ndihemi ligsht.

Amerikanët kanë një shprehje: It will get worse before it gets better (do bëhet edhe më keq para se të bëhet mirë).

Të shpresojmë se ndeshja me Serbinë ishte kjo ‘më keq’ dhe në Erevan do të bëhet ‘mirë’. Në ndodhtë kështu, do t’i rikthehemi lionizimit të De Biazit e djemve të Kombëtares dhe shiu, policia dhe humbja e së enjtes së 8 tetorit do të kujtohen si të kish qenë thjesht vizita e një Pape (jo serb).

Leave a Reply

Your email address will not be published.