Lajmet e fundit

Një vit më parë Isa Mustafa u zgjodh Kryeministër. A ka ndonjë sukses Qeveria e tij?

Sot janë bërë një vit që kur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka nënshkruar dekretimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Isa Mustafa.

Mustafa, të nesërmen, më 9 dhjetor u votua si kryeministër i qeverisë së re, duke marrë 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenime. Në fjalën e tij pas mandatimit në krye të qeverisë, Mustafa u zotua se do të punonte me përkushtim e ndershmëri për zhvillimin e vendit.
Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Partinë Demokratike të Kosovës, u quajt nga subjektet opozitare si tradhti e Mustafës, kurse, qeveria e udhëhequr nga ai u quajt “Qeveria e Rashkës”. Opozita po vazhdon me kundërshtimin e dy marrëveshjeve që janë arritur gjatë këtij viti, atë me Serbinë për Asociacionin e komunave serbe, dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Njohësit e rrethanave politike nuk kanë gjetur shumë elemente për ta vlerësuar Qeverinë Mustafa. Ata thonë se kjo Qeveri qysh në ditët e para është përballur me protesta e pakënaqësi të ndryshme qytetare. Sidoqoftë, ata vlerësojnë vendimin për mosngritjen e pagave të punëtorëve, vendimin për uljen e shpenzimeve dhe faljen e borxheve që qytetarët dhe bizneset i kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri në fund të vitit 2008.

E përballur me pakënaqësi shoqërore, me ikjen masive të qytetarëve, e me protesta të cilat eskaluan edhe në dhunë, Qeveria Mustafa arriti t’i përmbush 1 vit qeverisje.
Kryeministri Isa Mustafa, duke folur për 100 ditë të punës, ka thënë se synimi i qeverisjes së tij është kthimi i besimit tek qytetari, mirëpo ka theksuar edhe vështirësitë e shumta me të cilat është përballur që në start të mandatit të qeverisjes e deri më sot.
“E kemi nisur mandatin në një gjendje mjaft të rëndë e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për gjashtë muaj. Me fillimin e grevave të punonjëseve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve. Me problemin e buxhetit i cili s’i ka plotësuar të gjitha nevojat. Me protestat e organizuara nga opozita. Me ballafaqimin e mundësisë së shkuarjes së Kombinatit Trepça në likuidim. Me grevat e minatorëve, e me fluksin e migrimit në dy muajt e parë të këtij viti”.

Kështu radhiti i pari i Qeverisë, Isa Mustafa të mërkurën në një konferencë për media vështirësitë me të cilat është përballur ai me të marrë mandatin, teksa po diskutonte të bërat e të pa bërat e për 100 ditë në ekzekutiv.
“Por, me gjitha këto besoj se ja kemi dalë të promovojmë një vizion për Kosovën si shtet të pavarur, si shtet demokratik, si shtet i cili duhet të integrohet në strukturat Euroatlantike dhe të mbajë miqësi të përhershme me SHBA-të”, tha Mustafa.

Ai theksoi se kjo periudhë kohore po ashtu ka qenë e aprovimit të dokumenteve shumë të rëndësishme, ku ndër to kanë qenë edhe programi qeveritar për katër vjetët e ardhshëm, plani i implementimit të programit qeveritar e programi kombëtar për reforma ekonomike.
Po kështu, ndryshim pozitiv ai e konsideroi edhe ndryshimin e sistemit tatimor, i cili tha se do të sjellë rezultate në zhvillimin ekonomik.

Duke folur rreth çështjes së kalimit të FSK-së në FAK, Mustafa deklaroi se të gjitha përgatitjet, si ato ligjore edhe amendamentet kushtetuese janë gati. Por, ngecja vjen nga mospërkrahja e disa deputetëve për të ardhur deri tek miratimi i ligjit.
“Ka mbetur vetëm edhe përkrahja e 2/3-ave të deputetëve të Kosovës që nënkupton që duhet të kemi edhe përkrahjen e komuniteteve joshumicë dhe në rend të parë atyre serbë”, potencoi kreu i ekzekutivit, raporton KP.

E me këta të fundit ai tha se ka kontaktuar tri herë gjatë javës që shkoi, por, nuk e ka të qartë as vet se pse po vonohen në kthimin e tyre.
“Nuk kanë ndonjë kërkesë të veçantë për kthimin e tyre. Kërkojnë të zbatohet marrëveshja për koalicion që kemi me ta dhe, unë mendoj se nuk ka problem të implementimit të marrëveshjes. Por, as unë nuk e kam të qartë pse po vonohen. Ata kanë thënë se do ta shqyrtojnë dhe do ta bëjnë marrëveshjen mes tyre dhe do të kthehen”, ka thënë Mustafa.
Ajo që është kritikuar gjatë këtij viti është edhe numri i vogël i njohjeve dhe dështimi i anëtarësimit në UNESCO.

Leave a Reply

Your email address will not be published.