Lajmet e fundit

“Nju Jorku do të mirëpresë refugjatët sirianë”

Pranimi i refugjatëve sirianë është kthyer në betejën e re mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi një ditë më parë dhjetëra shtete, kryesisht me guvernatorë republikanë, u deklaruan kundër pritjes së refugjatëve, kryebashkiaku i Nju Jorkut, De Blasio ka thënë se nuk do të mbyllë dyert për asnjë refugjatë.

De Blasio deklaroi se Nju Jorku është një “qytet krenar i emigrantëve” dhe do të mirëpresë çdo refugjatë që vjen nga vendet ku po zhvillohen luftërat.

Po ashtu, De Blasio ka qenë shumë kritik ndaj kandidatëve republikanë për President të SHBA-ve, sidomos me guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie duke e quajtur “një turp për vendin” si dhe duke shtuar se “do t’i përmbahemi fjalëve të etërve tanë dhe jo të Donald Trump”.

Në të njëjtën linjë me kryebashkiakun u shfaq edhe guvernatori i Nju Jorkut, demokrati Andrew Cuomo, i cili mbështeti idenë për pranimin e refugjatëve.

“Ne duhet të mbrojmë amerikanët dhe jo të humbasim shpirtin tonë si vend. Ditën kur Amerika do të thotë ‘mbyllni kufijtë, ndërtoni mure’ atëherë do të them hiqni Statujën e Lirisë sepse po shndërrohemi në një vend tjetër”, deklaroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.