Nga Kimete Berisha- Varfëria është forma më e egër e dhunës. (Ghandi)
Fundjava më kaloi duke u thënë familjarëve dhe shokëve të mi në Mitrovicë që kurrsesi të mos e votojnë Avni Kastratin për kryetar të Mitrovicës. Një grua që prezantohej si B.Pllana, u telefononte qytetarëve një për një, kish fytyrë që t’ua kërkonte votën për Avni Kastrartin.
Le ta votojnë serbët. Pse ta votojnë shqiptarët edhe një herë këtë pensionist të pa mëshirshëm, i cili në qytetin midis lumenjëve (nga Ibri, Sitnica e nga liqeni i Gazivodës), nuk ka qenë i zoti të sigurojë as ujë, ujë për shqiptarët. Se qytetarët serb në veriun e Mitrovicës kanë pandërerë ujë (të cilën nuk e paguajnë), kanë pandërprerë rrymë (të cilën nuk e paguajnë).
Çfarë njeriu është ai që edhe muzeun e qytetit e ka shndërruar në çajtore, ndërsa ka lejuar ndërtime të pompave të benzinës edhe në vendet ku dyshohej për varrezë masive. Pa moral dhe pa shpirt, pa besim në Zot, Avni Kastrati ka shkelur mbi eshtrat e dëshmorëve të pagjetur.
Ku i ka lënë paret e buxhetit të komunës? Gruaja e tij, Afërdita, e tipizoi më së miri burrin e saj. Në emisionin “Jeta” tha se “sikur të ishte i ri do të kishte pasur nevojë për praninë e tij në shtëpi”, pra kështu siç është plakur, Mitrovica ka nevojë për të.
Avni Kastrati ka arritur që gjatë mandatit të tij ta bëjë Mitrovicën jugore të duket si pamjet nga kronika e luftës së pandërprerë në Kabul. Do të ishte një kandidat i përkryer për serbët e komunave të veriut, sepse ata kanë jetuar dhe jetojnë si qytetarë të dorës së parë: kanë ujë, rrymë, paga, punë, ndihmë sociale, dhe nuk janë ndëshkuar me burg kur herë pas here kanë vrarë shqiptarë dhe kanë djegur shtëpitë e tyre.
“Thembra e Akilit” e qeverisë Thaçi është varfëria. Trauma më e madhe e kësaj qeverie është frika nga trazirat e varfanjakëve. Sidomos kryeministri Thaçi, një minut nuk do të kishte mbijetuar me idenë se ai dhe djali i tij nuk e kanë jetën (deri në vdekje) të siguruar. Nevoja qër të ndihet i sigurtë nga varfëria është frika më e madhe e kryeministrit tonë. Provojeni.
“I laguri për shiun nuk mërzitet”. I zbathuri, e pse jo, në një moment proteste mund t’i jap vetes të drejtë që ditë më drekë të afrohet te dyqani i parë i këpucave, ta thyej xhamin e dyqanit, ti marrë një palë këpucë për vete dhe ti mbath pëlqyeshëm e me arrogancë
Janë mbi 30% shqiptarë të zbathur që mund të organizohen, të tubohen, të ngrejnë çadra nëpër të gjitha rrugët kryesore të Kosovës, për të kërkuar bukë, ujë, çorapë, këpucë, punë, të drejtat elementare, të cilat shkelen keq dhe fëlliqtë midis Evropës, në sytë e botës, në praninë e qindra mijëra policëve e ushtarëve të huaj, në sytë e fshehur të dhjetëra agjencive të intelegjencave të huaja, në sytë e të gjitha organizatave ndërkombëtare, dhe në sytë e Ambasadores Amerikane.
Varfëria mund të bëhet motiv për vepra të mëdha. Nga varfëria u motivua James Deen. Por, populli shqiptar, i motivuar me atdhedashuri, asnjëherë nuk u motivua të kërkojë për vete drejtësi ekonomike.
Varfëria është burg. Për të dal nga burgu, duhet të kesh çorapë e këpucë. Askush nuk lufton i zbathur. Për të dalë e për të parë se çfarë po ndodh në një fshat a në një qytet tjetër duhet të kesh pare për biletë autobusi.
Gati gjysma e popullit shqiptarë të Kosovës jetojnë në varfëri, njëzet për qind prej tyre në varfëri të skajshme. Që do të thotë, nuk kanë TV, nuk kanë qasje në internet, nuk blejnë gazeta, nuk lexojnë libra, nuk shkojnë në shkollë, nuk dinë çfarë po ndodh. Kujtojnë që varfëria është turp. Dhe, është fati i tyre i zi.
Mbi 30 për qind e popullit të Kosovës që jetojnë në varfëri të skajshme besojnë në Zot. Pra, besojnë se varfëria është fat i shkruar. Sipas Kur’anit në muajin e katërt në barkun e nanës, Zoti e dërgon një engjëll për t’ia dhënë shpirtin fëmijës, dhe engjëlli duke ia dhënë shpirtin fëmiut, ia shkruan edhe dekretet e Zotit: jetëgjatësinë, gjininë, fatin, pasurinë (se sa do të fitoj gjatë jetës së tij) , dhe vendos për fëmijën se a do të jetë banor i parajsës apo i ferrit.
Librat e shenjtë, të gjitha njësoj, e përmendit vullnetin e njeriut për të zgjedhur. Pra, sipas fesë njeriu është i lirë që të zgjedh të “bëjë mirë” apo të “bëjë keq”, varet nga vullneti i tij, se a do të bëhet “banor i parajsës apo i ferrit”.
Kupto! Nëse njeriu i keq ka vendosur ta marrë n’qafë një njeri të mirë, pse njeriut të mirë nuk i është dhënë rasti që edhe ai të vendos për veten që të mos jetë viktimë! Duke e ditur po ashtu të vërtetën hyjnore se “asgjë nuk ndodh pa vullnetin e Zotit”, duke studiuar aksidentalen, duke parë këto paradokse, dhe kundërshi të shenjta, edhe unë mendoi se varfëria është fat.
Përndryshe, nuk ka spjegim pse në të shumtën e rasteve nuk jam paguar për punën time, ose honoraret e mia i kam nxjerrë me dhunë ose më mëshirë. Pra, për ta nxjerr një honorar nga shumica e redaksive shqiptare ti duhet të prezantohesh si viktimë, që për shembull ti thuash botuesit se ke nanën në spital dhe të duhen urgjen ato pare.
“Ajo që nuk shkruhet-nuk ka ndodhur”. Varfërinë në Kosovë e fshehin mediat. Secila gazetë i ngjan gazetës tjetër, secili portal i ka të njejtat informata sikurse portali tjetër. Gazetat flasin për politikë dhe për modë, TV-të këndojnë dhe bisedojnë, japin pamje salonesh aristokrate. Varfëria nuk është temë. Nuk ka reportazhe nga terreni. Sepse, shumica e mediave janë të pushtetit në Kosovë.
Ligji i punës në Kosovë nuk zbatohet. Edhe të punësuarit janë skllav. Punonjësit e Kosovës në sektorin privat i nënshtrohen një skllavërie klasike. Vajzat e bukura e të reja kushtëzohen për seks, djemtë e ri shfrytëzohen pamëshirshëm, plakat nuk i do askush, pleqtë nuk kanë vend mbi këtë dhe, të pasurit shantazhohen, të varfërit s’ka kush i nxjerr nga “burgu” i tyre.
Edhe sektori shtetëror është ent social, që paguan ndihma sociale mujore për zyrtarët e shtetit, për të cilët nuk respektohet Ligji i Punës. Askush nuk është i siguruar në Kosovë, përveç pushtetit . Secili zyrtar i qeverisë së Kosovës, për të blerë një palë çizme dimri duhet të kursejë 6-të muaj rroga vere. P.S. Varfëria është forma më e egër e dhunës. (Ghandi)