Lajmet e fundit

Nuk ka kthim të normalitetit në Kuvend, opozita nuk ndryshon qëndrim

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se pezullimi i marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe nuk është i mjaftueshëm, andaj AAK-ja nuk i pranon pezullime dhe kërkon tërheqjen e nënshkrimit.“Tashmë është e qartë se Asociacioni prodhon efekte juridike në rendin kushtetues të Kosovës. Pezullimi i marrëveshjes për Asociacionin, është një hap i mirë, por i pamjaftueshëm. Qëndrimi i AAK-së, është shumë i qartë. Nuk zgjidhet problemi me pezullime të përkohshme. Marrëveshja për Asociacionin duhet të tërhiqet, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Nitaj.

Ai ka thënë se AAK-ja do të vazhdojë të mos e lejojë kthimin e normalitetit në jetën politike në vend deri sa nuk tërhiqet bashkë me AKS-në edhe nënshkrimi për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Për Demarkacionin duhet të fillojë një proces hetues, se si ndodhi që një komision të rrezikojë mijëra hektarë të territorit të Kosovës. Kjo është vepër shumë ë rëndë, që kërkon ndëshkimin e atyre që e kanë shkaktuar. Prandaj ne do të vazhdojmë të mos lejojmë rikthimin e normalitetit në jetën politike të vendit”, ka thënë ai.

Nitaj ka sqaruar se varësisht nga veprimet e pozitës lidhur me këto tema, ashtu edhe opozita do ta bllokojë Kuvendin.
“Se si do të bëhet kjo; me bllokimin e Kuvendit, të Qeverisë, apo me masa të tjera “paralizuese” të sistemit, kjo varet nga veprimet e pozitës për këto dy tema”, ka thënë ai për Indeksonline.

Ndërsa, Nitaj ka shtuar se zhvillimet e fundit ia kanë humbur kuptimin vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.