Sipas Bankës Qendrore të Kosovës bankat fituan deri nëntor të vitit të kaluar 20 milionë më shumë se deri në nëntor 2014.
Në bazë të publikimeve të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, viti 2015 për sektorin bankar po del të jetë më i miri që nga paslufta.
Deri në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar bankat komerciale arritën një fitim neto prej 81.3 milionë eurosh që është mbi 20 milionë euro më shumë krahasuar me profitin e realizuar në të njëjtën periudhë të vitit 2014.
Viti 2015 në sistemin bankar u karakterizua edhe me rënie të ndjeshme të normave të interesit për kredi. Sipas BQK-së norma efektive e interesit për kredi në muajin nëntor 2015 ka zbritur në 8.2%, krahasuar me 9.9% që ishte në muajin nëntor të vitit 2014.
Vlera e kredive në fund të muajit nëntor të vitit 2015 arriti në 2.01 miliardë euro. Nga to 673.5 milionë euro ishin nga kreditë për ekonomitë familjare dhe 1.34 miliardë euro nga financimi i bizneseve me kredi.
Edhe kreditë u rritën gjatë 2015-ës për 8.3 për qind. Vlera e tyre deri në fund të nëntorit 2014 ishte 1.86 miliardë euro.
Sipas raportit të Bankës Qendrore vetëm nga interesi bankat deri në nëntor të vitit që shkoi kishin të hyra prej 171 milionë eurove, shpenzime të interesit 20 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme dhe ato administrative janë 95.9 milionë euro.
Rritje kishte edhe te depozitat e klientëve, vlera e tyre deri në këtë periudhë arriti në 2.63 miliardë euro, krahasuar me 2.5 miliardë euro të muajit nëntor 2014, pra kishte rritje vjetore rreth 5%.
Norma efektive e interesit për depozita në muajin nëntor të vitit 2015 ishte 1%, që krahasuar me normën efektive të interesit në kredi paraqet dallim me 7.2 pikë përqindjeje.
Kjo diferencë e lartë ka ndikuar që bankat gjatë kësaj periudhe të arrijnë fitime mjaft të larta. Derisa dallimi mes interesit në kredi dhe depozita do të jetë i lartë, bankat do të vazhdojnë të kenë shumë të hyra nga interesi dhe fare pak shpenzime për interes.
Megjithë fitimet e larta, nga raporti del se sektori bankar ka reduktuar punëtorët. Në nëntor të vitit 2015 nëpër banka punonin 3 mijë e 387 punëtorë, ndërsa një vit më parë punëtorë bankash ishin 3 mijë e 514.
Jeta në Kosovë në shkurt 2015 ua kushtoi një emision largimeve nga puna në “ProCredit”, njërën nga bankat që vepron në Kosovë./Kallxo.com