Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Emergjencën e Pediatrisë, pacientët për të shkuar në katin e dytë apo të tretë, duhet të përdorin shkallët pasi që lifti nuk punon.v
Disa nga pacientët, treguan për KosovaPress, që lifti nuk punon tash e sa ditë dhe tek sot kompania e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e lifteve në QKUK, tek në orët e pasdites kishte sjellë disa nga punëtorët që ta rregullonin liftin, i cili nuk u rregullua as sot.
Përgjigje e vetme të cilën e jepnin të intervistuarit ishte vetëm se nuk punon lifti.
Qytetari: Tri ditë pa lift
“Nuk punon lifti, që dy tri ditë”, tha njëri nga intervistuarit, i cili nuk deshi t’i citohej emri.
Ndërsa Ragip Mula, i cili i shkonte në vizitë motrës së tij paciente në këtë repart, tha se për të shkuar deri te motra në katin e dytë shkon shkallëve pasi disa herë e ka parë që nuk funksiononte lifti.
Edhe të tjerë vizitorë që kishin ardhur për të parë të afërmit e tyre të shtrirë në këtë pjesë të QKUK-së, thanë se gjithmonë ecin shkallëve sepse lifti nuk punon.
Qytetari 2: Nuk punonte lifti
“E pamë që nuk punon e për atë”, tha njëri prej vizitorëve.
Mirëpo ndryshe nga ata të cilët për shkak të mos funksionimit të lifti u detyruan të përdornin shkallët, një e moshuar nuk e ka merakun tek lifti, ngase ajo gjithmonë i preferon shkallët pasi e ka frikë liftin.
Qytetarja: I tutna liftit
“Shkallëve eci, se kështu jam mësuar, e kam frikë liftin”, tha ajo për KosovaPress.
Përndryshe, zëdhënësi i zyrës për informim në QKUK, Shpend Fazliu në një përgjigje për KosovaPress, përmes e-mail-it tha se liftet po funksionojnë përveç atij në klinikën e Pediatrisë, të cilit janë duke iu ndërruar pjesët teknike.
“Nga informatat që sapo morëm nga sektori teknik në QKUK dhe kompania “ Ejona” me të cilën ka kontratë QKUK, në të gjitha klinikat ka lifte funksionale që shfrytëzohen nga pacientët dhe stafi. Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se lifti në Klinikën e Neurologjisë është plotësisht funksional, po ashtu në Pediatri liftet janë në funksion të plotë, përjashtuar njërin të cilit janë duke ju ndërruar pjesët teknike për të funksionalizuar në tërësi, por janë liftet tjera që po shfrytëzohen dhe funksionojnë në këtë klinikë”, ka treguar Fazliu për KosovaPress.
Megjithatë, gjatë xhirimeve që KosovaPress provojë të bënte brenda klinikës, disa herë u pengua ekipi nga sigurimi i QKUK-së, edhe pse ekipi kishte marrë lejen për xhirime të brendshme nga zyra për informim.
Pjesëtarët e sigurimit edhe pse e panë lejen për xhirime, prapë se prapë kërkonin ndaljen e xhirimeve dhe verifikimin e lejes së ekipit për xhirime.
Sigurimi: A po e ndal atë kamerë
“A po e ndalë atë kamerë, a po e ndalë atë kamerë zotëri. Ndale kamerën njëherë”, ka reaguar ai.
Ekipi i KosovaPress u ndalua për dy ditë të xhironte përbrenda QKUK-së. E atje duket se punët nuk janë mirë edhe në të tjera aspekte. Njëra nga mjeket e kësaj klinike i tha ekipit tonë që mirë është të xhirohet më shpesh e gjithçka që është e pavend në këtë ndërtesë.
Doktoresha: Boll mirë e kanë
“Boll mirë e kanë vallha. Qitni, çka të shihni qitni “, shprehet ajo./KosovaPress