Për sa i përket llojeve të sëmundjeve malinje, kanceri i mushkërive është i pari për nga vdekshmëria si në Kosovë, ashtu edhe në botë. Në Kosovë ende nuk po realizohen të gjitha protokollet e trajtimit të kësaj sëmundjeje dhe për këtë shumë pacient po duhet të dalin jashtë shtetit tonë për t’i trajtuar ato.
Me qëllim që të standardizohen të gjitha protokollet diagnostiko dhe terapeutike të sëmundjeve malinje e në këtë rast të kancerit të mushkërive, Task Forca për Kontroll të Kancerit (TKKK), ka mbajt një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi menaxhimin e këtij protokolli.
Kryetarja e TKKK-së, Suzana Manxhuka-Kërliu, tha se aty janë mbledhur të gjitha disiplinat, të gjithë ekspertët që involvohen në menaxhimin e pacientëve me kancer të mushkërive.
Sipas saj, shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje është duhan-pirja dhe mos respektimi i ligjit të pirjes së duhanit në vendet publike.
Të pranishëm në këtë panel ishin edhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e po ashtu ishin të ftuar edhe Ministria e Shëndetësisë të cilët nuk ishin të pranishëm.
Muaji nëntor është muaji i luftimit të kancerit të mushkërive, por për shkak se TKKK kanë qenë të interesuar që në këtë panel të marr pjesë edhe një doktor shqiptar, i cili vepron në Gjermani, ata e kanë zhvendosur këtë në muajin dhjetor.