Lajmet e fundit
OEK: Sa më shpejtë të shitet PTK

OEK: Sa më shpejtë të shitet PTK

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), duhet të privatizohet sa më shpejtë që është e mundur pasi që privatizimi i saj është një test për kompanitë gjermane, të cilat duan të investojnë në Kosovë. Kështu ka pohuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, sipas të cilit, mos privatizimi i kësaj kompanie, është një dëm i madh për vendin.

Është koha, kur duhet procesi i privatizimit të PTK-së të përshpejtohet sa më shpejte që është e mundur. Nga vet fakti që mos privatizimi është duke dëmtuar dhe më tutje në rend të parë ndërmarrjen në fjalë, në rend të dytë ambientin biznesor në Kosovë dhe mbi të gjitha informacionet që ne i kemi. Privatizimi i PTK-së, nga kompania gjermane, është vetëm një test, për të përgatitur hyrjet në Kosovë, të kompanive më prestigjioze, të brendeve gjermane në tregun e Kosovës, shkruan kosovapress.com.

Prandaj nëse do të humbet kjo perspektivë, që kjo kompani të mos privatizohet, vërtetë do të jetë një dëm shumë i madh. Sepse jemi të vetëdijshëm se prapa kompanisë AXOS, qëndrojnë kompani, shumë më të fuqishme apo reputative, brende jo vetëm të nivelit gjerman por edhe evropian, të cilët përmes privatizimit të PTK-së, e testojnë dhe ambientin biznesor në Kosovë, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka pohuar se krahas amortizimit moral që është duke përjetuar PTK , ky çmim nuk do të arrihet në të ardhmen dhe ekziston droja e stërngarkimit me të punësuar. Ai më tej ka shtuar se ky proces nuk duhet të politizohet dhe se Kosova, duhet ta forcojë partneritetin me Gjermaninë, pasi që ky është një test, të cilin Kosova dhe institucionet e saj, duhet ta shfrytëzojnë, për të promovuar gatishmëri për tërheqjen e investitorëve të huaj”, përfundon Gërxhaliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.