Lajmet e fundit

OJQ-të e quajnë provokim sugjerimin e Veselit që ato të kthehen në parti politike

Prishtinë, 17 dhjetor – Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë përmes një komunikate kanë reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili u bëri thirrje këtyre organizatave që të shndërrohen në parti politike.

Në reagimin e tyre thuhet:

Në konferencën e parë vjetore për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, të mbështetur nga OSBE, kryetari i Kuvendit z. Kadri Veseli, fjalimin e tij hapës e filloi me akuza drejtuar shoqërisë civile. Duke u thirrur në deklarimet për media të anëtarëve të shoqërisë civile për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, ai u sugjeroi organizatave të tyre të shndërrohen në parti politike. Deklarimet e tilla provokuese lënë të kuptojmë që z. Veseli nuk e ka kuptuar drejt rolin e sektorit joqeveritar në shërbim të interesit të përgjithshëm, dhe një diskurs i tillë i komunikimit është në kundërshtim me vetë frymën e kësaj konference.

Në analizën e tij për dështimin e qeverisë për të përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës, një proces aq shumë të kërkuar e aq shumë të premtuar prej të gjitha niveleve politike në Kosovë, ai pjesën më të madhe të fajit ia atribuoi shoqërisë civile. Për t’u mos u mjaftuar me kaq, z. Veseli si përfaqësues i institucionit të Kuvendit, akuzoi shoqërinë civile edhe për raportet negative të institucioneve ndërkombëtare për Kosovën, siç është raporti i Dick Martyt.

Ne si organizata të shoqërisë civile, gjykojmë dhe deklarojmë si më poshtë:

1. Mesazhet politike drejtuar shoqërisë civile për të arsyetuar dështimet e qeverisë në raport me liberalizimin e vizave për Kosovë kurrsesi nuk i ndihmojnë bashkëpunimit të Kuvendit me shoqërinë civile.

2. Dështimi për të siguruar liberalizim të vizave nuk është dështim i shoqërisë civile, por dështim i drejtpërdrejtë i mungesës së vizionit të qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm, nivelit të lartë të korrupsionit dhe arrogancës së pushtetarëve në raport me qytetarët.

3. OJQ-të e mëposhtme kërkojnë që Kuvendi dhe Qeveria, të analizojë në thellësi dhe të bëjnë publike arsyet e dështimit dhe ti shmanget retorikeve dhe fajësimit të shoqërisë civile vendore, apo Bashkimit Evropian.

Organizatat mbështetëse të kësaj deklarate:
FIQ
GAP
INDEP
KDI
GLPS
BIRN
KOSID
INPO
PIPS
Syri i Vizionit
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QKBN)
Developing Together
Shoqata Kosovare për Belbëzim
Shoqata e Personave me Hendicep dhe Aftësi të kufizuara të Kosoves
Youth Association for Human RIGHTS YAHR
POLIS
Organizata Multietnike Profesionale Lansdowne (OMPL)
OJQ Zana
Me Dorë në Zemër, Mitrovicë

Leave a Reply

Your email address will not be published.