Derisa zyrtarët opozitarë protestën e 9 janarit e shohin si vendgrumbullim të mijëra qytetarë për t’i kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin dhe demarkacionin, analistët kosovare theksojnë se opozita do të duhej që ta konsolidonte kauzën e saj, dhe nga kërkesa për asociacionin dhe demarkacionin, të kërkonte dorëheqjen e shefit të Qeverisë, Isa Mustafa.
Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për Telegrafin se nuk mund të thotë më siguri se protesta e opozitës më 9 janar do të jetë masive.
Sipas tij, opozita kosovare e ka humbur një moment të rëndësishëm përmes të cilit do ta kapitalizonte protestën e tyre.
“Opozita do të duhej që t’i mëshonte fort, shumë më tepër se që e ka bërë, faktit që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka shkelur Kushtetutën e vendit, kur e ka nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai.
Mushkolaj thotë se faktin që është shkelur Kushtetuta nuk e ka thënë opozita dhe as kritikët e Mustafës, por institucioni me kredibil i drejtësisë në vend – Gjykata Kushtuese.
“Kauza më e saktë e opozitës do të ishte dorëheqja e Mustafës, i cili e ka shkelur Kushtetutën, sesa marrëveshja për Asociacionin dhe demarkacionin. Mendoj se opozita nuk ka arritur që t’i informoj dhe t’ua sqaroj qytetarëve rreth aktvendimit të Kushtetueses”, ka thënë ai.
Nga zyra për informim e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë theksuar për Telegrafin se protesta e 9 janarit do të jetë një nga protestat më masive që janë organizuar ndonjëherë.
Sipas tyre, kjo protestë do të jetë masive për shkak se qytetarët e Kosovës tashmë i kanë shumë të qarta dëmet e marrëveshjeve dhe në përgjithësi të kësaj qeverie.
“Kërkesat e protestës janë anulimi i marrëveshjeve dhe tërheqja e Qeverisë. Nuk ka kuptim të vazhdojnë të na qeverisin njerëz që e shkelin Kushtetutën, falin territore, arrestojnë opozitën dhe nuk bëjnë asgjë për zhvillim ekonomik e luftë ndaj krimit dhe korrupsionit. Arma kryesore e opozitës gjatë kësaj proteste do të jetë masiviteti popullor”, kanë thënë ata.
Bilall Sherifi, nga Nisma për Kosovën, ka thënë për Telegrafin se opozita e bashkuar është duke u konsoliduar që protesta e 9 janarit të jetë sa më masovike.
Ai ka theksuar se ata si opozitë presin që në këtë protestë do të jenë prezentë dhjetëra mijëra njerëz, sepse sipas tij, shumica e qytetarëve tashmë janë kundër “Zajednicës” dhe marrëveshjes për demarkacionin në mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Ne jemi duke u konsoliduar me takime me qytetarë nëpër degë. Aktvendimi i Kushtetueses është edhe një argument se ky pushtet edhe duke bërë puç edhe ndaj Kushtetutës së vendit, sepse ata kanë thënë se do të vazhdojmë me statutin e Zajednicës. Këto protesta do të jenë vetëm fillimi i një kundërshtimi më dinamik të opozitës karshi marrëveshjeve”, ka thënë Sherifi.