Partitë opozitare në Pejë Aleanca për Ardhmërinë e Kovës (AAK), Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma, në një konferencë të përbashkët, mbajtur në zyrën e AAK-së, të enjten i kanë bërë thirrje gjithë qytetarëve të kësaj komune, që t’i bashkëngjiten të shtunën protestës manifestuese në Prishtinë, në ditën e flamurit.
Ata ftuan pejanët që të festojnë këtë ditë të festës kombëtare bashkë dhe të ngritin zërin në mënyrë paqësore kundër marrëveshjeve për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Pejë.
“Shpresoj që të shtunën të jetë gjithë Peja së bashku në Prishtinë në këtë manifestim dhe të festojmë në një ditë të shënuar bashkërisht edhe kundër dy marrëveshjeve më të dëmshme për Kosovën që janë bërë në periudhën e pasluftës”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, koordinatore e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë.
Ndërsa kryetari i degës së AAK-së në Pejë, Naim Sahiti, tha se frika që i ka kapluar koalicionin në pushtetin qendror, nga manifestimi protestues i paralajmëruar për ditën e shtunë, i ka detyruar ata të marrin disa veprime dhe të japin disa deklarata të çuditshme, se kinse, siç shtoi ai, protesta do të jetë e dhunshme.
“Deklaratat e tyre janë më qëllim që të frikësojnë qytetarët dhe po mundohen ta paraqesin si një lloj proteste më dhunë. Protesta do të jetë një manifestim dinjitoz që përkon edhe me ditën e flamurit dhe njëkohësisht edhe kundër dy temave me rëndësi kombëtare, që janë marrëveshja e Asociacionit të Komunave dhe demarkacionit me kufirin me Malin e Zi”, tha Sahiti.
Ai gjithashtu thirri pejanët që t’i bashkëngjitën këtij manifestimi protestues dhe të jenë paqësorë, siç është kërkesa e opozitës si organizatore.
“Me siguri, me 28 nëntor me pjesëmarrje masive do të japim sinjal pozitiv që Kosova nuk i pranon këto dy marrëveshje”, tha Sahiti.
Në këtë konferencë për media ishte i pranishëm edhe nënkryetari i degës së Nismës në Pejë, Vehbi Avdullahaj, por ai nuk u prononcua.
Blloku opozitar, që të enjten për herë të parë doli në Pejë në një konferencë të përbashkët, njoftoi qytetarët e Pejës se nisja për në Prishtinë do të bëhet me autobusë në ora 10.00 nga parkingu i madh afër stacionit të trenit.