Pas disa ditësh armëpushimi, ata priten të kthehen në pozicionet e tyre barrikadues këtë javë.
Të hënën pritet të mblidhet Kryesia e Kuvendit për të vendosur nëse të enjten apo të premten do të jetë seanca e radhës.
Por, opozita është e bindur se nuk do të ketë seancë. Të paktën ata kanë thënë se do të bëjnë gjithçka që të pamundësojnë një gjë të tillë.
Pozicionet e tyre për tërheqjen e nënshkrimeve në marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin nuk kanë lëvizur, shkruan Zëri.
Madje, këtë herë thuhet se ekziston edhe mundësia e eskalimit të situatës.
Këtë gjë opozitarët nuk përtojnë ta potencojnë sa herë që flasin rreth seancave të Kuvendit. Zëdhënësi nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se përpjekja e kryetarit të Kuvendit për të organizuar seancë të rregullt do të shkojë huq edhe këtë herë.
“Ne do të pengojmë çdo seancë parlamentare, të cilën do ta organizojë Qeveria e Kosovës. Nuk do të lejojmë që të mbahen seancat e rregullta parlamentare deri në tërheqjen e nënshkrimeve të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Zëri”.