Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, në konferencën e përbashkët të shtypit mbajtur nga opozita bashkuar ka thënës e se për 4 muaj rresht ne si opozitë bashkë me qytetarët dhe peticionin ne kemi thënë atë që e tha Gjykata dje, që marrëveshja e 25 gushtit është anti kushtetuese.
“Dhe kur Gjykata thotë që shumica e kësaj marrëveshje është në kundërshtim me Kushtetutën atëherë i bie që ajo në tërësi nuk mund të implementohet. Për ne kjo marrëveshje është e vdekur. U vërtetua se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi dhe qeveria e tyre e kanë shkel kushtetutën dhe kështu ne kërkojmë sa më shpejt largimin e tyre ose dorëheqjen”, tha ai.
Ahmet Isufi nga AAK tha se dje triumfoi zëri i qytetarëve duke vërtetuar këtë cka kemi thënë ne dhe qytetarët me peticion.
“Dy marrëveshjet që kanë dëmtuar shumë interesin e Kosovës, imazhin e Kosovës, kanë treguar se këta liderë janë të shantazhuar dhe ka treguar që qytetarët nuk mund të durojnë një gjë të tillë dhe këtë e kanë dëshmuar qytetarët me protesta e peticion”, tha ndër të tjera Isufi.
Dorëheqjen e Qeverisë e ka kërkuar edhe Fatmir Limaj, kryetari i Nismës për Kosovën.
“Për të gjithë është e qartë se me vendimin e djeshëm të Gjykatës ka një moment të ri juridiko-politik në Kosovë dhe duhet të reflektojmë të gjithë për këtë. Hapi i parë i reflektimit është se Qeveria duhet të japë dorëheqje sepse u vërtetua se janë shkelës të Kushtetutës dhe është hap i parë për të dalë nga kriza e madhe që e ka kapluar Kosovën”, ka deklaruar Limaj.