Opozita pritet të mbyllë sot, protestat e saj kundër qeverisë për këtë vit. Partia Demokratike ka lajmëruar protestën e saj të radhës, para Parlamentit, në orën 10:00, ndërkohë që do të zhvillohet edhe seanca parlamentare e fundit për këtë vit gjithashtu. Sipas burimeve të “GSH” nga PD-ja, këtë herë u është lënë drejtuesve të rinj të Forumit Rinor demokrat organizimi i protestës së sotme. Në protestën e sotme nuk do të ketë shumë folës, në mënyrë që të mos lodhen protestuesit. Në podiumin e ngritur para parlamentit peshën kryesore do ta kenë të rinjtë, ndërkohë kryetari Basha do marrë fjalën i fundit. Në protestën e fundit, pjesëmarrësit gjuajtën me vezë, domate, presh, madje pati edhe tymuese. Nuk dihet nëse të njëjtat mjete do të përdoren edhe në protestën e sotme. Deputetët do të flasin si brenda sallës së Kuvendit, ashtu edhe jashtë. Por, sot do të mungojë kryeministri Edi Rama, kundër të cilit janë orientuar edhe këto protesta. Rama do të jetë në një vizitë zyrtare në Izrael. Pikërisht sot, Rama do të takojë Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahou. Ndërsa nesër është planifikuar edhe një takim me Presidentin e Izraelit, Reuven Rivlin. Po kështu, Kuvendit do t’i mungojë sot dhe për tri ditë me radhë edhe kryetari i tij, Ilir Meta. Meta do të jetë në një vizitë zyrtare gjithashtu, në Beograd, nga data 21 deri më 23 dhjetor. Kjo vizitë e kreut të Kuvendit Meta zhvillohet në kthim të vizitës së kryeparlamentares serbe, Maja Gojkoviç, e cila qëndroi në prill në Tiranë. Meta gjatë kësaj vizite do të takohet me të gjithë krerët e shtetit të Serbisë, presidentin Tomislav Nikoliç, po ashtu do të takohet edhe me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç dhe homologen e tij në Beograd. Kjo vizitë pritet të ketë qëllimin e bisedave për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe të Serbisë, në mënyrë që të vazhdohen aktivitetet që kanë nisur vitin e kaluar. Kjo është hera e tretë që Meta viziton Beogradin. Vizitën e parë e ka zhvilluar si ministër i Jashtëm, të dytën si kryetar i LSI-së, i ftuar nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiç. Ndërkohë, në seancën e sotme parlamentare nuk është planifikuar ndonjë projektligj i rëndësishëm për të kaluar. Ndër ato projektligje që pritet të diskutohen dhe të marrin më shumë vëmendjen e deputetëve është ai “Për amnistinë”. Një tjetër është projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimeve të pozicioneve të punës të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave”. Deputetët pritet të votojnë sot projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”. Pas kësaj seance, deputetët pritet të marrin pushimet e fundvitit, për t’u ritakuar sërish në mes të janarit.