Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, pas përgatitjeve intensive dhe mobilizimit të strukturave të tyre partiake, sot protestojnë për të kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës.
Protesta, sipas paralajmërimit, do të fillojë në orën 14:00 te Biblioteka Kombëtare.
Derisa është përsëritur vazhdimisht se protesta do të jetë paqësore, liderët opozitarë kanë deklaruar se kjo protestë do të sjell fundin e kësaj Qeverie, që ata e konsiderojnë shkelëse të Kushtetutës së vendit për shkak të marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka përsëritur kërkesën për protestë të qetë dhe jo me skena dhune.
Protesta e fundit që mbajti opozita, më 9 janar, u përfol si më masivja e Kosovës së pasluftës.