Sheshi “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 21 nëntor pritet të jetë i mbushur me protestues të thirrur nga opozita për të kundërshtuar “Zajednicën” dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Burime të ORAinfo bëjnë të ditur se tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën janë pajtuar që më 21 nëntor të thërrasin protestë për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se partitë opozitare ka disa ditë që i kanë filluar takimet në terren me elektoratin e tyre për t’i mobilizuar ata që t’i përgjigjen masovikisht thirrjes për protestë.
“Pas përfundimit të peticionit ku është arritur të mblidhen mbi 200 mijë nënshkrime, partitë opozitare janë pajtuar që të thërrasin protestë më 21 nëntor. Presim që protesta të jetë masive pasi që pakënaqësia qytetarë për këto marrëveshje është e madhe dhe këtë e dëshmon edhe arritja e mbi 200 mijë nënshkrimeve në peticion”, ka thënë një burim brenda partive opozitare.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takimin me dy liderët e tjerë opozitarë atë të Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe Fatmir Limajn të Nismës për Kosovë, janë pajtuar për thirrjen e protestave brenda muajit nëntor.
Partitë opozitare duke kundërshtuar këto marrëveshje kanë bllokuar edhe punimet në Kuvendin e Kosovës duke i ndaluar ato edhe me hedhje të gazit lotsjellës.
Ato kanë kërcënuar se nuk do t’i ndalin veprimet e tyre deri në tërheqjen e nënshkrimeve për “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi.