Subjektet opozitare kanë planifikuar për nesër një tubim që e kanë cilësuar si mobilizues me strukturat e veta.
Nuk ka treguar se për çfarë do të jetë mobilizimi, por të tilla organizime opozita deri tani ka bërë para protestave që i ka organizuar për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë – për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe – dhe atë me Malin e Zi – për Demarkacionin, raporton Koha.net.
“Nesër, më 16 janar, në ora 13:00, subjektet opozitare mbajnë tubim mobilizues me struktura. Tubimi mbahet në Sallën e Kuqe – Pallati i Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftimin e subjekteve opozitare.
Një protestë gjithëpopullore opozita e ka organizuar të shtunën e 9 janarit, me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve (opozita kishte thënë se aty kanë marrë pjesë rreth 100 mijë qytetarë por Policia kishte kundërshtuar duke thënë se aty kanë qenë rreth 8 mijë protestues) e cila kishte eskaluar në fund, kur një grup protesuesisht kishin hedhur koktej molotovi në drejtim të policëve e të ndërtesës së Qeverisë.
Opozita nuk ka caktuar ende datë të saktë të protestës së radhës, por ka thënë se ajo do të mund të organizohet brenda janarit, dhe ka garantuar se nuk do të lejojë normalizimin e gjendjes në Kosovë derisa Qeveria Mustafa-Thaçi të dorëhiqet e kësisoj të bien edhe dy marrëveshjet e kontestuara.